Sot në orët e hershme të mëngjesit në veri të vendit janë vendosur edhe dy barrikada, njëra në Lagjen e Boshnjakëve në afërsi të shkollës Teknike, ndërsa tjetra te vendi i quajtur “Kërshi i Dudës”.
Lajmi për Gazetën Enigma është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Me vendosjen e këtyre dy barrikadave, ka shkuar në 13 numri i tyre që janë vendosur në veri.
Ndryshe, sot ka hyrë në ditën e 18 bllokimi i rrugëve në veri të vendit pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë ndërsa lidhur me situatën në vend të hënën kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një takim me Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Në takimin e KSK-së u tha se këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it’, thuhet më tej.
Pas takimit të KSK-së, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave, të cilat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.