Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Mitrovicës.
Ai përmes një reagimi në Twitter ka thënë se ambasada gjermane dënon dhunën ndaj gazetarëve.
“Ambasada gjermane në Prishtinë dënon ashpër edhe një herë dhunën ndaj gazetarëve. Mediat duhet të lejohen të punojnë lirshëm dhe pa frikë nga dhuna. Ne urojmë shërim të shpejtë ekipit të televizionit Klan Kosova”, thuhet në reagimin e ambasadorit.
Ndryshe dje ekipi i televizionit Klan Kosova u sulmua me gurë nga persona të maskuar derisa po shkonin për të raportuar për situatën në Zubin Potok.
Si pasojë e sulmit gazetarja dhe shoferi kanë pranuar tretman mjekësor.