Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “bisedimet me serbët nga Kosova ishin komplekse dhe të vështira, por se Serbia qëndron pranë popullit të saj dhe ka mbështetur vendimet e serbëve nga Kosova”.
“Nuk ka qenë aspak e lehtë, sidomos prejse ka ardhur në pushtet Albin Kurti. Dje kemi dëgjuar tregimet tronditëse të njerëzve të thjeshtë. Këta nuk janë kriminelë, por ata që luftojnë për jetën e tyre në Kosovë. Vuçiq është presidenti i parë që qëndroi deri në fund me popullin e tij, serbët i ngritën vetë barrikadat, ne e morëm vesh pas tre orësh, por asnjëherë nuk thamë se serbët ishin vetëm, ne qëndruam prapa tyre”, ka pretenduar Petkoviq, dhe si zakonisht, duke e kryer detyrën e tij të servilit për ta lavdëruar liderin e tij suprem.
Ai ka pretenduar se Serbia “arriti të fitojë dhe të sjellë lajme të mira”.
Sado e vështirë të jetë për ne, dje morëm një lajm të mirë, arritëm të fitojmë gjëra të mira”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka deklaruar se familja Pantiq është shumë me fat që Dejan Pantiq tani është në shtëpi.
“Kurtit nuk i ka pëlqyer lajmet për Pantiqin, pse po e trajton kështu drejtësinë, pse po ndërhyn në drejtësi, çfarë vendimi tjetër mund të marrin në lidhje me Pantiqin, kur për të edhe masa e arrestit shtëpiak është e lartë, sepse njeriu nuk ka bërë asgjë”, tha Petkoviq.
Ai ka treguar se dje nga burgu ka dalë edhe Nikolla Nedelkoviq i arrestuar në Gazimestan.
“Dje u lirua nga burgu Nikolla Nedelkoviq, e morëm vesh, trimëria e tij është e pabesueshme, dje sërish e veshi këmishën për të cilën u arrestua në Gazimestan”, ka thënë Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij, “Prishtina po bën një luftë hibride dhe dëshiron të tregojë se serbët janë kriminelë që hyjnë në konflikt me KFOR-in dhe EULEX-in”.
Petkoviq gjithashtu ka pretenduar se “SHBA dhe BE garantojnë se nuk do të ketë arrestime të serbëve në Kosovë”.