Daçiq: Edhe sivjet do të vazhdojmë betejën për Kosovën

Daçiq: Edhe sivjet do të vazhdojmë betejën për Kosovën

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka pretenduar se sivjet do të ketë betejë të rëndë diplomatike dhe politike në lidhje me “mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”.

Daçiq ka thënë se “është vështirë të flitet për plane kur në Serbi gjithçka fillon dhe mbaron me temën e integritetit territorial dhe sovranitetit dhe për këtë arsye planet janë të tilla që të ofrojnë bazën më të mirë të mundshme që të mund të mbrojmë interesat tona kombëtare dhe shtetërore edhe në vitin 2023.

“Fatkeqësisht kjo është një temë me të cilën do të merremi edhe në periudhën e ardhshme. E them, për fat të keq, sepse sigurisht që do të përballemi me vazhdimin e presioneve, “standardeve të dyfishta”, “shantazheve”, në mënyrë që synimet e tjera që i kemi, si integrimi evropian apo vendosja e marrëdhënieve më të mira me disa vende të rëndësishme të skenës politike ndërkombëtare, padyshim do të kushtëzohet gjatë dialogut me Prishtinën”, ka thënë Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Ai ka thënë se Serbia do të bëjë “përpjekje maksimale” për dialog dhe paqe, por sigurisht, siç pretendon ai, “do të mbrojë me të gjitha forcat jetën dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

“Shpresojmë se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se faktori më i madh i jostabilitetit dhe kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon është Albin Kurti, pra politika e Prishtinës, politika e mos përmbushjes së asnjë marrëveshjeje ndërkombëtare nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e deri të marrëveshjet e Brukselit dhe Uashingtonit”, i përsërit Daçiq fjalët e shefit të tij suprem pa kurrfarë imagjinate.

Ai ka pretenduar se “lëvizjet e njëanshme” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “çojnë çdo javë në një temë të re për përshkallëzimin e konfliktit në Kosovë”, duke vazhduar se “është një përpjekje për të zgjidhur problemin e Kosovës me një rrugë të shkurtër, që është, nëpërmjet përdorimit të forcës dhe parimit të “Blitzkriegut”.

Siç pretendon ai, “Kurti dëshiron ta zgjidhë çështjen e përgjithshme të Kosovës me dëbimin e serbëve nga Kosova, pra të arrihet një zgjidhje që do të kërkonte njohje ndërkombëtare”.

“Në këtë kuptim, gjithçka që mund të pritet në vitin 2023 dhe cilat janë sfidat më të mëdha janë reduktuar në atë temë të vetme, temë nga e cila buron gjithçka tjetër, edhe integrimi evropian edhe marrëdhëniet me fqinjët edhe marrëdhëniet me fuqitë e mëdha”, ka deklaruar Daçiq.

Related Articles