Blakaj: Në Kosovë janë respektuar më pak ligjet e luftës, civilët janë targetuar qëllimshëm

Blakaj: Në Kosovë janë respektuar më pak ligjet e luftës, civilët janë targetuar qëllimshëm

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka thënë se në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit ku janë zhvilluar luftëra, janë respektuar më pak ligjet e luftës dhe civilët janë targetuar qëllimshëm.

“Nëse bëjmë një krahasim me luftërat gjatë shpërbërjes në ish-Jugosllavi, në Kroaci dhe Bosnjë, përqindja e civilëve të vrarë e të zhdukur është më e madhe në Kosovë. Mund të nxjerrim një konkluzion se në Kosovë më pak janë respektuar ligjet dhe zakonet e luftës dhe civilët janë targetuar në mënyrë të qëllimshme”

Blakaj ka treguar të dhënat të cilat Fondi ka arritur t’i mbledhë përgjatë viteve për të vrarët dhe të zhdukurit nga lufta dhe pas luftës, në një periudhë dy vjeçare.

“Në Fondin për të Drejtën Humanitare po i evidentojmë të vrarët dhe të zhdukurit. Ne kemi marrë një periudhë kohore prej 1 janarit 98 deri më 31 dhjetori 2000. Në këtë periudhë ne kemi regjistruar 13,535 njerëz që janë vrarë apo janë zhdukur. Shumica prej tyre deri nga 10 qershori 99, pas vitit 99 deri më 2000 janë diku rreth 1 mijë persona që janë shumica të komunitetit serb e rom por ka edhe shqiptarë. Rreth 10 mijë e 800 prej tyre janë shqiptarë, 2200 serbë dhe janë disa qindra të komuniteteve të tjera. Aty janë të përfshirë të gjithë, jo vetëm civilët, pra aty janë edhe pjesëtarët e UÇK-së”, ka treguar Blakaj.

Blakaj ka shtuar se mbi 80 për qind e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë kanë qenë civilë shqiptarë, të cilët nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës.

“Tek shqiptarët mbi 80 për qind janë civilë që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt, ndërsa tek serbët kjo përqindje është diku 52-3 për qind civilë dhe pjesë tjetër 47 për qind janë pjesëtarë të ushtrisë së Jugosllavisë. Rreth 75 për qind të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve në Kosovë kanë qenë civilë”, përfundoi Blakaj. /Koha/

Related Articles