Daçiq: E kemi edhe shtetin e 10 i cili ka tërhequr njohjen e Kosovës

Daçiq: E kemi edhe shtetin e 10 i cili ka tërhequr njohjen e Kosovës

“Lista e shteteve që kanë tërhequr njohjen e Kosovës është gjithnjë më e gjatë, kështu në “sirtarin” e Serbisë është edhe një shtet tjetër që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Është vendi i dhjetë që ka vendosur të ndryshojë vendimin e tij, i cili është në listën që Serbia ende nuk e ka publikuar”, ka deklaruar ministri serb i jashtëm Ivica Daçiq për gazetën serbe në shërbim të pushtetit “Novosti”, por pa përmendur emrin e asnjërit prej “këtyre 10 shteteve që i kanë tërhequr njohjen e Kosovës”.

Daçiq ka paralajmëruar se Serbia do të intensifikojë veprimet diplomatike për çnjohjen e Kosovës, përcjell Paparaci.

Ai thotë se kjo është “përgjigjja” e Serbisë në iniciativat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe anëtarëve të kabinetit të tij, të cilët muajt e fundit kanë fluturuar nëpër botë, duke u përpjekur “të marrin libreza të anëtarësimit që nuk u takojnë sipas asnjë kriteri”, shkruan “Novosti”.

Pika kryesore ishte paraqitja e aplikimit për pranim në Bashkimin Evropian, i cili do të jetë një lloj testi për anëtarët e klubit “27” – “Spanja është shprehur tashmë për këtë çështje, duke deklaruar se nuk do ta mbështesë aplikimin”, sipas kësaj gazete.

Të gjitha përpjekjet për të fituar një vend në një nga organizatat evropiane dhe botërore nuk e mjegullojnë qëllimin kryesor të Kosovës – një karrige në OKB, të cilën vazhdimisht e synojnë, thekson “Novosti”, duke shtuar se kjo përmendet edhe në planin franko-gjerman për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin Serbia “ka refuzuar”.

Related Articles