Në çdo fillim-viti përgjatë dekadës së fundit është bërë zakon të thuhet se ky vit është vit i dialogut. Njëjtë po thuhet edhe për vitin në të cilin kemi hyrë. Madje, viti 2023 po cilësohet edhe si viti kur përfundimisht Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje.
Për dallim nga kaluara, sivjet palët kanë një platformë për dialogun, që njihet ndryshe edhe si Plani franko-gjerman dhe po ashtu për herë të parë që nga fillimi i dialogut, kanë edhe afatet kohore për arritjen e marrëveshjes.
Jens Plötner, këshilltar i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit francez Emmanule Macron, të cilët e sollën Planin franko-gjerman, gjatë muajit janar do të vizitojnë sërish Kosovën dhe Serbinë, për të shtyrë palët drejtë avancimit në dokumentin që tani përkrahet edhe nga 27 vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, është bërë e ditur, se së bashku me ta, i pranishëm do të jetë edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Këtë vizitë të emisarëve ndërkombëtarë, gjatë ditëve të fundit të vitit që lamë pas, e kanë konfirmuar edhe krerët e institucioneve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
E njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj, thotë se pret që presioni ndërkombëtarë, të mundësoi arritjen e një marrëveshje në muajin mars.
“Dinamika e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë sigurisht që do të shtohet dhe të gjitha këto vizita, qoftë të Escobarit, Lajcakut, Borrellit, por edhe të dy këshilltarëve, atij francez dhe gjerman, të cilët kanë paralajmëruar që do të vijnë në Kosovë dhe në Serbi, bëhen që koha e përcaktuar në muajin mars për një marrëveshje finale, të jetë edhe koha kur do të arrihet kjo marrëveshje. Edhe ne besojmë që me një dinamikë të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare, pas propozimeve të ardhura nga bashkësia ndërkombëtare ose thënë më mirë nga projekti franko-gjerman, besojmë dhe shpresojmë që muaji mars do të jetë muaji i arritjes së kësaj marrëveshje finale”, tha Ukaj.
Në fillim të muajit dhjetor, Kosova dhe Serbia kanë pranuar versionin e ri të Planit franko-gjerman, dhe mbi bazën e tij, këtë muaj do të dërgojnë qëndrimet e tyre drejt Bashkimit Evropian.