Një 25-vjeçar nga fshati Saradran i Istogut është therur shtatë herë me thikë mbrëmjen e së mërkurës.
I njëjti është duke u trajtuar në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Për gjendjen e tij janë deklaruar nga spitali, përmes një njoftimi publik ku thuhet se pacienti ka pasur tetë plagë në kokë, ekstremite dhe pjesë të tjera të trupit.
“Mbrëmë më datë 4.01.2023 rreth orës 18:20 minuta në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është pranuar një pacientë i therur me mjete të mprehta”, thuhet në komunikatën për media.
“Pacienti ka pasur tetë plagë dhe atë në kokë, ekstremitete dhe pjesë tjera të trupit si dhe një gjendje të rënduar shëndetësore”.
Tutje, bëhet e ditur se ekipi kujdestar i prirë nga kirurgu Rifat Dreshaj e ka trajtuar rastin duke bërë qepjen dhe gjithë trajtimin e nevojshëm të plagëve që sipas tyre, kanë qenë sipërfaqësore si dhe trajtimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësore të pacientit.
“Pacienti aktualisht është i shtrirë në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ditët në vijim pritet edhe lirimi i tij”, thuhet në njoftim.