Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin i cili vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Sipas saj, në rast të ndonjë paraqitjeje së elementeve të ndonjë vepre penale do të veprohet tutje.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë të ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qellim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë ajo.
Ndryshe, kirurgu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala, e kishte shpërndarë një operacion si të suksesshëm në rrjetet sociale, por në fakt pacienti ka ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.
Të mërkurën, Shala e ka paraqitur si sukses operacionin “David” të një pacienti me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.
Siç ka thënë vetë ai në postimin e tij në Facebook, ky është nga operacionet e rralla që kryhet kryesisht në qendra të mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës.
Por, në fakt, operacioni nuk ka pasur sukses, pasi pacienti ka vdekur pas disa orësh.