Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një gafë goxha serioze dhe kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur nga gazeta e njohur britanike, “The Independent”, e cila, megjithatë, e ka përshkruar me humor gabimin e institucionit të lartë kosovar. Ku “sharroi” Zyra e Kryeministrit?
Të premten e kaluar, më 6 janar, Zyra e Kryeministrit njoftoi për një takim të kryeministrit Kurti me sekretarin e Jashtëm në hije të Partisë Laburiste në opozitë në Mbretërinë e Bashkuar, David Lammy. Sidoqoftë, në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit në gjuhën angleze, zotërisë Lammy i jepet një pozitë shumë më e rëndësishme – kryediplomat i Britanisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e priti sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy”, thuhet në njoftimin e publikuar në gjuhën angleze nga Zyra e Kryeministrit, njofton Nacionale.com.
Në të vërtetë, në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar është Partia Konservatore dhe sekretar i Jashtëm është James Cleverly. Ndërkohë personi që u prit për vizitë nga kryeministri Kurti, David Lammy, është anëtar i Partisë Laburiste në opozitë.
Gabimi i Zyrës së Kryeministrit në njoftimin e shkruar në gjuhën angleze u vërejt nga gazeta e njohur britanike, “The Independent”. Kjo gazetë shkroi: “Si duket, në Kosovë dikush tashmë e ka ndarë mendjen sa u përket zgjedhjeve të ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar”.
“Zyra e Kryeministrit në Prishtinë e njoftoi takimin me Lammy si “Kryeministri Kurti e priti Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit, David Lammy”- raportoi “The Independent”.