Ende asnjë person nuk është identifikuar si i dyshuar për vrasjen që ndodhi të martën në Shoqatën e të Shurdhërve në Mitrovicë.
Viktima, 65-vjeçar me inicialet N.G, u gjet pa shenja jete brenda objektit të kësaj shoqate, ku ishte anëtar.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, tha se janë duke u intervistuar dëshmitarët, por motivet nuk dihen ende.
“Ju njoftojmë që deri tani nuk ka të identifikuar ndonjë të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit për ndriçimin e këtij rasti. Janë duke u intervistuar dëshmitarë, motivi ende nuk dihet”, deklaroi Preteni për Telegrafin.
Prokuroria e Mitrovicës një ditë më parë përmes një njoftimi publik, bëri të ditur se vrasja ishte e dhunshme dhe sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dal në vendngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.
“Prokurori kujdestar ka dal në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, u tha se deri më tani nuk ka të identifikuar persona të dyshuar për këtë rast, por “prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që të identifikohet kryerësi i veprës penale ‘Vrasja’, me qëllim të arrestimit dhe vënies para drejtësisë”.