Trepça angazhon trajnerin e dytë brenda javës

Trepça angazhon trajnerin e dytë brenda javës

Në fillim të kësaj jave, Ilir Selmani e mori drejtimin e KB Trepçës pas largimit të Alek Jonçevskit, ndërsa të enjten skuadra nga Mitrovica ka prezantuar trajnerin e ri. Bëhet fjalë për turkun Engin Gençoglu, i cili do të jetë në krye të ekipit deri në fund të sezonit.

Me ardhjen e Gençoglut, Selmani do të jetë pjesë e shtabit teknik të tij. Ky është trajneri i katërt i Trepçës këtë sezon, të cilin e nisi me bullgarin Lubomir Minchev.

Gençoglu 41-vjeçar ka punuar kryesisht në Turqi, ndërsa së fundmi ka qenë trajner i Konyasporit, ekip që këtë sezon e futi në elitën e basketbollit turk. Ai ka qenë edhe te skuadrat tjera, si Pinar Karsiyaka, Beshiktash e Bostanlispor.

Trepça këtë sezon e nisi me synime të mëdha, por nuk po ka rezultate pasi dy ndeshjet e fundit që i ka luajtur në Mitrovicë, i ka humbur me nga 30 pikë nga Bashkimi e Sigal Prishtina. Aktualisht, renditet e katërta në tabelë me 27 pikë të mbledhura, katër më pak se Golden Eagle Ylli që është lider.

Ndeshjen e radhës në kampionat, Trepça e luan të dielën në udhëtim te Peja në kuadër të xhiros së 19 të Superligës së Kosovës në basketboll.

Related Articles