Pas gjendjes së krijuar nga vërshimet në disa komuna të vendit, u mblodh Delegacioni i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nurën, raporton Gazeta “Enigma”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se kjo vizitë u bë për të parë nga afër situatën pas vërshimeve nga të reshurat dhe për t’u solidarizuar me qytetarët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Po ashtu, delegacioni i Bordit të AKK-së me këtë rast shprehu solidarizim me gjitha zonat e prekura nga vërshimet në komunën e Skenderajt, Istogut, Mitrovicës, Klinës, Podujevës dhe zonat tjera të cilat u prekën nga të reshurat e shiut”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se bordi i AKK-së ka kërkuar që qeveria duhet t’u mundësojë lomunave një fond emergjent, pasi që vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore.
“Prandaj, bordi kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre. Në këtë takim janë diskutuar edhe mundësitë tjera të bashkëpunimit mes Komunave edhe në rastet e fatkeqësive natyrore”, thuhet po ashtu në njoftim. / Gazeta Enigma.