Donik Sallova, këshilltari politik i Jashtëm i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka bërë një reagim rreth Asocacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Ai përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, i ka renditur marrëveshjet e deritanishme mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, në secilën prej tyre, Serbia ka arritur të fitojë diçka.
Sallova, i cili është edhe doktor i Shkencave Politike thotë se Asociacioni është faza e parafundit para ndarjes së Kosovës.
Ai përmendi ‘synimin e Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës’.
“Pas dështimit të Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës përmes gjenocidit, elita politike serbe ka qenë e bashkuar në mohimin e të drejtës së Kosovës për shtetësi. Nga Gjingjiqi tek Koshtunica, nga Tadiqi tek Nikoliqi, nga Daçiqi tek Vuçiqi të gjithë kanë synuar që përmes mohimit të Kosovës, mosnjohjes së shtetësisë dhe instrumentalizimit të serbëve brenda Kosovës, të imponojnë ndarjen e Kosovës”, shkroi ai.
“Asociacioni është faza e parafundit e këtij qëllimi hegjemonist të një Serbie që nuk është dënuar, por është mirëkuptuar nga bashkësia ndërkombëtare për ndërtimin e modelit të një Rusie të Vogël në Ballkanin Perendimor, si në ambiciet territoriale ndaj fqinjëve, ashtu edhe në modelin autokratik të shtetit”.