Në konferencën për media pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Presidenti turk, Recep Tayp Erdogan ka treguar se si e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Erdogan tha se ishte duke e drejtuar mbledhjen e kabinetit kur mori vesh se e para që njohu Kosovën ishin SHBA-ja.
Pasi nuk patën mundësi me qenë të parët që njohin shtetin e Kosovës, Erdogan kishte thënë se Turqia do të jetë vendi i dytë që do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO”, tha Erdogan në konferencën për media.