Dy persona kanë marrë lëndime trupore pas një përleshje me dy persona të tjerë në fshatin Mogillë, komuna e Kllokotit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Valon Osmani ka bërë të ditur se njëri nga të lënduarit i përket komunitetit serb, ndërsa tjetri është shqiptar.
Osmani ka bërë të ditur se dy të lënduarit janë përleshur me dy shqiptar, ku si shkak u bë një qen, dhe të lënduarit kanë marrë tretman mjekësor, njëri në Pasjan, ndërsa tjetri në Viti e pastaj në Spitalin Rajonal në Gjilan.
“Me 03.02.2023, rreth orës 13:00, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan-Stacioni Policor Kllokot, ka pranuar një informatë për një rast në fshatin Mogillë komuna e Kllokotit. Njësitet policore me urgjencë i janë përgjigjur rastit dhe bazuar në informacionet e siguruara është kuptuar se dy persona, pas një mosmarrëveshjeje të çastit, rreth një kafshe shtëpiake (qeni), janë përfshirë në përleshje fizike. L.E., i mitur (viti i lindjes 2006, mashkull shqiptar kosovar) dhe B.D., (viti i lindjes 2003, mashkull serb kosovar), kanë pësuar lëndime trupore. B.D.(serb), është dërguar për tretman mjekësor në Pasjan, kurse L.E.(kosovar), pas ndihmës së parë të marrë në Viti, është dërguar në Spitalin Rajonal Gjilan. Policia është duke e trajtuar këtë rast në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka konfirmuar Osmani.