A mund ta godet Kosovën një tërmet si i Turqisë? – Flet sizmologu Mustafa

A mund ta godet Kosovën një tërmet si i Turqisë? – Flet sizmologu Mustafa

Sizmologu Shemsi Mustafa thotë se në Kosovë dhe në vendet përreth nuk ekziston mundësia që të bie një tërmet i ngjashëm si në Turqi e Siri, i cili la të vdekur mbi 1 mijë persona e mijëra të tjerë të lënduar.

Mustafa thotë se Kosova është larg nga Turqia dhe nuk ka rrezik për tërmete katastrofike sepse vendi ynë ndodhet më larg pllakave tektonike. Ai thotë se Kosova është më mirë në aspektin sizmik.

Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit me epiqendër afër qytetit Gaziantep, që goditi juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e sotëm shkaktoi tronditje të madhe për botën.

Sizmologu Shemsi Mustafa, tregoi për Gazetën Express se tërmeti u shkaktua si rezultat i lëvizjes së pllakave tektonike dhe kjo zonë është e nxehtë në aspektin e tërmeteve.

“Një tërmet i përmasave të tilla në territorin e Kosovës dhe përreth nuk do të ndodh. Aktiviteti sizmik dhe aktiviteti tektonik dallon me zonën  që ka ndodh tërmeti në Turqi që goditi sot, që faktikisht krijoi qindra viktima. Por, mund të rritet numri sepse bazuar në gradën dhe energjinë e liruar të këtij tërmeti mund të rritet numri i viktimave në një shifër shumë të madhe. Tërmeti në fjalë ka ndodh si rezultat i lëvizjeve të pllakave tektonike të Euroazisë dhë Afrikës, tektonika në rajonin përreth të këtij tërmeti është relativisht komplekse, pllaka e Afrikës i nënshtrohet pllakës së Euroazisë dhe kjo ka ndodh edhe në të kaluarën që ka qenë një zonë sizmike shumë e nxehtë në aspektin e tërmeteve”, tha Mustafa.

Ai tha se tërmeti i sotëm është ndër tërmetet më të fuqishme që kanë ndodhur në atë zonë ndër vite.

“Tërmeti që ka godit sot është ndër tërmetet më të fuqishme të kësaj zone, pra në të kaluarën nuk është goditë me tërmet kaq të fuqishëm. Tërmeti më i fuqishëm ka qenë në vitin 1999, tërmeti i Izmirit me një magnitudë 7.6 shkallë të Rihterit dhe që sa rrezikohen zonat përreth”, u shpreh Mustafa.

Gjatë bisedës, sizmologu Mustafa tha se harta e rrezikut siezmik e përcakton se Kosova mund të goditet çdo pesë vite nga tërmetet, me magnitudë prej 5.0.

“Ne jemi në afërsi të kontaktit të pllakave, kontakti i pllakave kalon nëpër krejt, Shqipëria është shumë afër, kurse Greqia është buzë këtij kontakti dhe duke u bazuar në ngjarjet sizmike, është një zonë me rrezik fizik të lartë.  Nuk ka pajisje që cakton një tërmet të pritshëm. Por, bazuar në katalogun historik dhe hartën e rrezikut, në vitin 2009 kemi precizu hartën e rrezikut dhe e jep qartë së cilat zona mund të goditen. Harta e rrezikut sizmik e jep që çdo 5 vite mund të goditet Kosova me një magnitudë prej 5.0  shkallë të Rihterit”, u shpreh ai.

Ai tha se Kosova mund të goditet nga tërmete të fuqishme por jo katastrofike. Gjithashtu tregoi edhe zonat e Kosovës që janë në rrezik më të madh nga tërmetet.

“Ne i patëm tri tërmete në vitet 2002, 2010 dhe 2013, termetin e Vushtrisë, Gjilanit dhe Istogut. Bazuar në hartën e rrezikut siezmik, territori i Kosovës mund të goditet me tërmete të fuqishme, jo katasrofike, por të fuqishme nga 6.1-6.5 shkallë të Rihetrit në zonat me rrezik më lartë.  Siç dihet me rrezik më të lartë janë zona veriore e Kosovës, zona perëndimore duke filluar në veri-perëndim nga Istogu në jugperëndim në Prizren dhe pjesa jugore dhe juglindore që është Ferizaj, Viti, Gjilan. Sa i përket tërmetit në Turqi, në distancë jemi larg, nuk ka vend për panik”, tha Mustafa.

Por, sizmologu Mustafa tha se Kosova është më mirë në aspektin sizmik sepse ndodhet më larg pllakave tektonike.

“Nuk ka një rrezik të lartë siç e kanë vendet e tjera që janë shumë afër pllakave të kontaktit, siç është Greqia, Turqia një pjesë e Shqipërisë, Italia etj. Çdo zonë që është më afër kontaktit të pllakave është rreziku më i lartë, kurse ne jemi pak më mirë në aspektin sizmik”, tha ai.

Related Articles