Profesori universitar, Milazim Krasniqi e ka quajtur “kamoflim” ndryshimin e qëndrimit të kryeministrtit, Albin Kurti karshi 6 kushteve për pranimin e marrëveshjeves për Asociacionin.
Krasniqi tha se me qëndrimet e fundit, Kurti është ndërgjegjësuar për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Krasniqi ka folur edhe për pasojat mbi Kosovën në rast të mos pranimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
“Nëse Kurti nuk e pranon zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, Kosova do të izolohet ndërkombëtarisht, do të rriten presionet mbi Kosovën dhe veriu do të mund të rebelohet dhe ta shpallte në mënyrë të njëanëshme formimin e Asociacionit, po ashtu do të kishim përmbysjen e Qeverisë”, tha Krasniqi.
Ai ka thënë se Kurti duhet t’i marrë përgjegjësit e tij kushtetuese që i takojnë si kryeministër, dhe të forcojë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare.
“Momentin që thotë e pranoj Asociacionin, por me disa kushtet, i bie që keni hapur mundësinë e negociimit të atyre kushteve. Në ato kushte, ka gjëra që janë të inkorporuara edhe në Kushtetutë, por ka edhe gjëra që në asnjë mënyrë s’munden me u lidh me të. Psh, çarmatosja e popullësisë, unë se di qysh mundet me u lidh me kushtet për Asociacionin. Por, s’mund të jetë kusht çarmatosja e popullësisë, me pranimin e Asociacionit. Është një përpjekje për ta kamofluar e paketuar diqysh, por më shumë mendoj që është fjala për një ndërgjegjësim të Kurtit”, tha profesori universitar në Info10.