Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të vdekjeve të dyshimta në Kosovë.
Njëra nga to ka ndodhur në fshatin Badovc i Ri, në Graqanicë. Në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se viktima është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, rasti tjetër ka ndodhur në QKUK në Prishtinë. Në njoftimin e policisë thuhet se viktima ishte duke u trajtuar në QKUK, dhe si rrjedhojë ka ndërruar jetë.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se është njoftuar nga stafi i QKUK-së se vajza e tij, viktima femër kosovare e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Kurse, vdekja tjetër që po cilësohet poashtu si e dyshimtë, ka ndodhur në fshatin Kervasari të Malishevës.
Njoftimi bën të ditur se viktima është gjetur i shtrirë në tokë, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
“Viktima mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në tokë, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.