Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë vizitës në komunën e Shtimes, ka takuar kryetarin e kësaj komune, Qemajl Aliun.
Në këtë takim, Vitia tha përveç planifikimit për ndërtimin e projekteve kapitale, mbetet i përkushtuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Shtimes.
“Ishte kënaqësi takimi me kryetarin Aliu. Me projektet e reja, të cilat u prezantuan nga kryetari dhe drejtori i shëndetësisë, është tregue se në shëndetësi qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Sot biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, tha ministri Vitia.
Kurse, kryetari i Komunës së Shtimes shprehu falenderimin për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë që Komuna e Shtimes të ketë investime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.
Për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet në vlerë prej 1 milionë e 250 mijë euro, kurse për ndërtimin e Entit Special ka ndarë 4 milionë euro.