“S’ke nevojë të na njoftosh nga restoranti me biftek përpara se e ke pranuar planin evropian”

“S’ke nevojë të na njoftosh nga restoranti me biftek përpara se e ke pranuar planin evropian”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë guximi dhe transparencë në lidhje me procesin e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i PDK-së tha se Kurti nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit.

“E vetmja gjë që nuk është as fisnike e as pragmatike, është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që të takon, kur e mashtron vetveten se do t’i arrish qëllimet me sukses, duke u fshehur pas parimeve, përderisa vepron sipas rrethanave. Fatkeqësisht, kjo është rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti, me mënyrën se si i është qasur qeverisjes në përgjithësi, ndërsa në veçanti zhvillimeve të fundit në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dua që t’ia bëj të qartë kryeministrit, se në raport me temën e Dialogut, nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente”, tha Krasniqi.

Ai ftoi Kurtin që t’i njoftojë deputetët dhe qytetarët për procesin e Dialogut në Kuvend, e jo nga restorantet.

“Nuk ka nevojë me e fshehë prej Kuvendit dhe deputetëve asnjë prej pozicioneve në të cilat qëndron sot Kryeministri në raport me planin Franko-Gjerman apo Evropian. Nuk ka nevojë me na njoftu se e ka pranu këtë plan nga një restorant e me biftek përpara, por këtu në Kuvend, ku janë përfaqësuesit e popullit. Nuk ka nevojë me i fshehë para deputetëve e para qytetarëve aranzhmanet që po i negocion në lidhje me Asociacionin. Nuk ka nevojë me ju prezentu deputetëve të Kuvendit kushte për marrëveshje, sepse deputetët nuk janë ata që duhet të binden për kushte që shkojnë në favor të Kosovës. Ne, si PDK, për Dialog as nuk të kemi penguar, as nuk të kemi linçuar, as nuk të kemi hedhur gaz lotsjellës e koktej mollotovi. Përkundrazi, të kemi mbështetur, sepse përballë Serbisë e pretendimeve të saj jemi bashkë”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi tha se Dialogu si proces nuk është çështje private mes Kurtit dhe Vuçiqit, por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu si proces dhe aranzhmanet që dalin prej tij, nuk janë çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe se për t’i arritur interesat e Republikës së Kosovës nga ky proces, s’ke nevojë të jesh as mistik, as hero, as tradhtar, por thjeshtë një kryeministër i përgjegjshëm. Mbështetjen e ke, qëllimet janë publike, rezultatet i presim. Prandaj, të ftoj që të bëhesh serioz, ta kuptosh përgjegjësinë që ke dhe ta ushtrosh atë përgjegjësi në mënyrë transparente, sepse qytetarët e Kosovës nuk janë të painteresuar, ashtu siç po i konsideron ti ndonjëherë”, shtoi kryetari i PDK-së.

Related Articles