Kroacia e gatshme të mirëpresë turistët e huaj

Kroacia e gatshme të mirëpresë turistët e huaj

Çadrat e baret janë hapur dhe muzika po dëgjohet. Hotelet e restorantet po përshëndesin vizitorët duke shpresuar të fillojnë verën pas më tepër e një vit mbyllje e kufizime udhëtimesh për shkak të koronavirusit.

Kroacia ka rihapur gjerësisht vijën bregdetare në Adriatik për turistët e huajë, duke u bërë një nga shtetet e para në Evropë që ka hequr shumicën e masave të vendosura për ta luftuar pandeminë. Tash mundësia për personat që të shkojnë në Kroaci varet nga rregullat e udhëtimit në shtetin e secilit prej tyre.

Atmosfera është e relaksuar në rajonin e Istrës, pjesa më veriore e bregdetit kroat që është e famshme për plazhet e saj me guralecë, për pyjet e dendura me pisha, për verë dhe specialitete si tartuf, për vaj ulliri e djathtë dhie. Rrallë sheh ndokënd me maskë në rrugë apo restorante në qytetin piktoresk Rovinj. Distanca mes tavolinave për të ngrënë në ambient të mbyllur të një restoranti rrallë respektohet.

“Njerëzit janë lodhur me mbylljet”, thotë Nikola Sandiq, një kamerier në një restorant i njohur për specialitete të ushqimeve të detit. “Marrin një gotë verë, shikojnë detin dhe kjo është ajo që u duhet”.

Rastet me koronavirus vazhdojnë të ulen në Kroaci dhe pas një starti të ngadalshëm të vaksinimit, procesi ka nisur të intensifikohet. Zyrtarët parashikojnë se afro 50 për qind të popullatës prej rreth 4 milionë banorëve do të vaksinohen plotësisht deri në mesin e verës.

Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe një destinacion i njohur për pushime në kontinent, po lejon turistët nga SHBA-ja, nga shumica e vendeve të Evropës dhe më tej që të futen, në rast se kanë një certifikatë vaksinimi, apo dëshmi të një testi negativ për koronavirus apo dëshmi se e kanë kaluar koronavirusin.

Zyrtarët shëndetësorë kanë vendosur këto masa disa javë para se BE-ja ka bërë lëvizje të mërkurën që së shpejti të lejojë futjen e personave që janë vaksinuar plotësisht.

Zyrtarët e turizmit kroatë presin një rritje të numrit të vizitorëve amerikanë, të cilëve do t’u kursehet transferi nëpër aeroporte, kur fillojnë fluturimet nga New York – Dubrovnik, nga korriku.

Ministrja e Turizmit, Nikolina Brnjac, ka thënë se shteti i saj po aplikon masa striktre shëndetësore për të evituar përsëritjen e asaj që ndodhi vitin e kaluar, ku vizitorët injoruan distancën sociale nëpër plazhe dhe në bare, dhe sezoni turistik përfundoi shpejt kur Kroacia u përballë me një rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Rreth 80 mijë punonjës të turizmit në Kroaci kanë prioritet për të marrë vaksinën antiCOVID, dhe janë vendosur disa pika për testime PCR për të bërë më të lehtë për vizitorët që të marrin rezultatet e testeve nëse u duhen për t’u kthyer në shtëpi.

“Është detyra jonë të ofrojmë një pushim dhe udhëtim të sigurt”, ka thënë Nikolina.

Ekonomia e Kroacisë është shumë e varur nga turizmi; rreth 20 për qind të hyrave vijnë nga vizitorët e huajë gjatë verës. Rezortet në Adriatik si qytetet Dubrovnik e Rovinj, me rrugët e ngushta me kalldrëm dhe sheshe të vogla, gati plotësisht mbështeten nga turistët. Goran Pavloviq, menaxher në bordin e turizmit në Opatija, ka thënë se Kroacia është e gatshme, por suksesi i stinorit veror do të varet kryesisht nga rregullat në shtetet tjera, veçanërisht nëse udhëtarët duhet të karantinohen kur kthehen në shtëpi.

“Definitivisht do të jetë një vit sfidues për ne, për shkak të situatës me pandeminë”, ka thënë Pavloviq.

Punonjësit në sektorin e turizmit në Kroaci janë optimist.

“Ne më në fund duam të shohim buzëqeshjet e vizitorëve, e jo maskat”, ka thënë Maja Segon, që punon në recepcion në hotelin Savoy në Opatija.

Related Articles