Batatina: Kupa është e jona, në kampionat përfundojmë në top 3-she

Batatina: Kupa është e jona, në kampionat përfundojmë në top 3-she

Superliga e Kosovës rikthehet në aksion pas një pauze të gjatë, duke filluar sezonin pranveror.

Të shtunen nga ora 13:00 do të zhvillohen tri ndeshje shumë interesante në kuadër të javës së 19-të, kurse dy ndeshje të tjera do të zhvillohen të dielën.

Drenica – Llapi është njëra nga ndeshjet që zhvillohet nesër, takim ky që pritet të jetë shumë interesant, ashtu siç kanë qenë përballjet e kaluara mes këtyre dy skuadrave.

Para këtij takimi, trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina tha për ‘GazetaBlic Sport’ se skuadra është shumë e përgatitur për fillimin e edicionit pranveror, por që ndeshja ndaj Drenicës nuk do të jetë aspak e lehtë.

“E kemi dëshmuar në ndeshjen e parë ndaj Lirisë në Kupë se jemi një skuadër shumë e përgatitur mirë. Kemi bërë disa transferime që dhanë frytet e veta në paraqitjen e tyre të parë me Llapin. Ndeshja ndaj Drenicës nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, do të përballemi ndaj një skuadre që luan futboll të mirë. Ne do ta japim maksimumin tonë që të marrim rezultat pozitiv“, tha fillimisht Batatina.

Më pas, ai foli edhe për objektivat e skuadrës, duke thënë se edhe në këtë vit janë të fokusuar tek Kupa, por që duan poashtu të përfundojnë edicionin brenda 3 pozitave të para në tabelë.

“Fokusi ynë kryesor është tek Kupa e Kosovës edhe në këtë vit. Ne duam ta mbrojmë përsëri dhe ta fitojmë këtë trofe për të tretin vit radhazi. Synimi ynë poashtu është që ta mbyllim edicionin brenda tre pozitave të para në tabelë”, përfundoi Batatina.

Related Articles