Këtë vit, Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas njohësve të çështjeve politike, ky përvjetor Kosovën e gjeti më të konsoliduar, por edhe me shumë sfida, veçmas në politikë.
Sipas tyre, shteti i Kosovës tash e një kohë po përballet me fushatën e egër nga ana e shtetit serb, të cilët tentojnë ta minojnë demokracinë e vendit dhe ta pengojnë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Si po e gjen Kosovën ky përvjetor i Pavarësisë
Sipas analistit për çështje politike, Shqiprim Pula, ky përvjetor i gjeti qytetarët dhe Kosovën me institucione më të konsoliduara.
Ai theksoi se Kosova është në një nivel më të lartë të emancipimit politik kombëtar e shtetëror.
“Ky përvjetor, një gjysmë çerekshekulli i mëvetësisë, qytetarët dhe Kosovën me institucionet e saj e gjen më të konsoliduar në aspektin institucional dhe legjislativ. Po ashtu, jemi me një nivel më të lartë të emancipimit politik kombëtar e shtetëror, por, jo e bërë mjaftueshëm shikuar nga këndvështrimi kohor lidhur me demokracinë dhe pluralizmin politik”, ka thënë Pula për Gazetën Enigma.
Ndërsa, analisti Arben Fetoshi numëron disa nga sfidat me të cilat Kosova po vazhdon të përballet edhe në 15 vjetorin e saj.
Ai thotë se edhe në këtë përvjetor Kosova ende nuk e ka përmbyllur konfliktin me Serbinë, por sipas tij tani vendi ka hyrë në fazën përmbyllëse të dialogut për marrëveshjen finale.
“Edhe në këtë përvjetor të pavarësisë Kosova ende nuk e ka përmbyllur konfliktin me Serbinë, ndonëse tani duket që kemi hyrë në fazën përmbyllëse të dialogut për marrëveshjen finale e cila duhet t’i japë fund pengesave”, ka thënë Fetoshi për Enigmën.
Tutje, profesori universitar thekson se Kosova po vazhdon të përballet me padrejtësinë e Hagës, dhe njëherit edhe me krizën më të rëndë ekonomike në vitet e fundit.
“Edhe në këtë përvjetor Kosova po vazhdon të përballet me padrejtësinë e Hagës, ndonëse tani kemi një datë për fillimin e procesit tejet të vonuar ndaj udhëheqësve të UÇK-së, dhe në këtë përvjetor Kosova po ballafaqohet me krizën më të rëndë ekonomike si pasojë e inflacionit”, tha tutje ai.
Mes tjerash, Fetoshi thotë se përtej këtyre sfidave, mbetet shqetësuese raportet për mungesën e progresit apo avancimin e pamjaftueshëm në luftimin e krimit të korrupsionit.
“Përtej këtyre sfidave natyrisht që mbeten shqetësuese raportet për mungesën e progresit apo avancimin e pamjaftueshëm në luftimin e krimit e të korrupsionit, në forcimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit, si dhe në lirinë e mediave dhe komunikimin e polarizuar”, theksoi Fetoshi për Enigmën.
Progresi i shënuar ndër vite?
Sipas analistit Pula, që nga akti i shpalljes së mëvetësisë, Kosova ka arritur të marrë njohje me numër treshifror nga shtete anekënd botës si dhe anëtarësime në organet ndërkombëtare.
“Që nga akti i shpalljes së mëvetësisë, Kosova ka arritur të marrë njohje me numër tre shifror nga shtete anekënd botës, anëtarësime në organizma ndërkombëtar, si dhe të fitoj një betejë ligjore pranë GjND-së ku u konfirmua se pavarësia kishte legjitimitet politik dhe ishte konform të drejtës ndërkombëtare. Po ashtu, konsolidimi i shumë institucioneve shënon progres thelbësor për funksionimin e shtetit”, ka thënë Pula.
Ku ndodhet dialogu Kosovë – Serbi, sipas analistëve
Ajo se çfarë ka shtuar dilema për sa i përket partneritetit të Kosovës me aleatin strategjik, është presioni mbi Prishtinën dhe nisma e ambasadori Hovenier për Asociacionin, gjë që sipas Fetoshit është shqetësuese.
“Pas agresionit rus në Ukrainë faktorët perëndimor në krye me SHBA-të i janë rikthyer me vendosmëri konfliktit të pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kjo do të thotë që për shkak të impenjimit të tyre kemi hyrë në fazën e vendimmarrjes”, thotë Fetoshi.
Tutje, ai thotë se “tani kemi të bëjmë me një gjuhë kushtëzuese ndaj Serbisë dhe me presion të shtuar ndaj Kosovës për të lëvizur drejt planit të propozuar evropian”.
“Për fat të keq Serbia nuk po shihet aktualisht si palë destruktive, edhe pse ajo vazhdon të jetë një Rusi e vogël dhe Vuçiq një Putin i vogël në rajon”, thekson Fetoshi.
Ndërsa, Pula thotë se marrëveshjet me Serbinë kanë evoluar në sasinë e tyre, por jo edhe në cilësi.
“Marrëveshjet me Serbinë kanë evoluar në sasinë e tyre por jo edhe në cilësinë e tyre, apo thënë ndryshe, nga i gjithë numri i marrëveshjeve nuk është arritur të jetësohen të gjitha në tërësinë e tyre, për të përmirësuar interesin e qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë Pula për Enigmën.
Qeveritë ndër vite dhe partneriteti i tyre me SHBA-në
Profesori universitar, Arben Fetoshi vlerëson se për të gjitha këto sfida që Kosova ka para vetes, raportet me ShBA-në kanë rëndësi jetike.
Dhe këtë, sipas Fetoshi e kanë pasur të qartë të gjitha qeveritë në Kosovë, duke shpresuar se do ta ketë edhe qeveria “Kurti”.
“Edhe pse asociacioni vërtet është një sfidë në kontekst të qëllimeve ekspansioniste të Serbisë, mungesa e komunikimit me aleatin tonë më të madh është ajo që më së paku na duhet tani. Në vend të kësaj, e kam theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë dhe urgjencën e konsensusit politik pozitë-opozitë lidhur me këtë temë, të paktën për të siguruar parime dhe instrumente juridike që e pamundësojnë keqpërdorimin e asociacionit nga ana e Serbisë në të ardhmen”, ka theksuar ai.
Kurse, Pula thotë se në raport me ShBA-në, secila qeveri deri më tani, vazhdojnë t’i përmbahen përcaktimit të hershëm politik.
“Në raport me ShBA-të, secila qeveri deri më tani por edhe e tanishmja, vazhdojnë t’i përmbahen përcaktimit të hershëm politikë që raportet me popullin dhe shtetin Amerikan janë të palëkundura duke i konsideruar si shtet mik e partner serioz në rrugëtimin e përbashkët për vlera të përbashkëta”, ka shtuar ai duke theksuar se nuk ka ndonjë dallim esencial të raporteve të mëhershme dhe të tanishme.
Kosova është i vetmi shtet që po privohet nga liria e lëvizjes, a pritet liberalizimi së shpejti?
Sa i përket problemit kyç për qytetarët kosovar të cilët ende nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë, Fetoshi thotë kjo vjen si pasojë e paaftësisë dhe politizimi i kësaj të drejte.
Ai thekson se vendimi tashmë është marrë, ndonëse sipas tij ka mbetur edhe formalizmi në Këshill dhe Parlament.
“Megjithatë, vendimi tashmë është marrë ndonëse ka mbetur edhe formalizimi në Këshill e Parlament, dhe me funksionalizimin e sistemit ETIAS ose më së largu nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të fillojë të zbatohet”, ka theksuar ai.
Ndërsa, sfida kryesore politike në procesin e integrimit që lidhet me mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së sipas Fetoshit varet nga marrëveshja finale me Serbinë.
“Duke pasur parasysh mbështetjen unanime të shteteve anëtare për planin evropian dhe nëse brenda këtij viti arrihet marrëveshja, atëherë si rrjedhojë mund të presim lëvizje pozitive të këtyre shteteve në drejtim të njohjes. Mirëpo, krahas përqendrimit te faza e fundit e dialogut dhe përtej efektit të marrëveshjes, institucionet dhe veçanërisht ministria e jashtme do të duhej të angazhohen aktivisht me kryeqendrat e këtyre vendeve për këtë proces”, ka sqaruar ai.
Edhe analisti Pula thotë se tashmë ka një vendim se qytetarët e Kosovës do të mund të qarkullojnë lirshëm brenda zonës Schengen, jo më larg se në janar të vitit 2024.
Ndërsa, sa i përket mosnjohjes të shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të Unionit Evropian, sipas Pulës ka të bëjë me historinë politike brenda këtyre shteteve.
“Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të Unionit Europian (UE-së) është se UE-ja nuk e ka njohur shtetin e Kosovës por e ka lënë në vullnetin e shteteve anëtare, e për rrjedhojë janë arsye të brendshme të tyre historike e politike që nuk e kanë deklaruar aktin e njohjes ndaj nesh”, tha Pula duke shtuar se “me evoluimin kohor politik Kosova do t’i fitoj edhe këto njohje”.
Ku qëndron procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian?
Sipas Fetoshit, Kosova në procesin e integrimit evropian është e fundit në rajon për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare dhe konfliktit të pambyllur me Serbinë.
“Në fund të vitit të kaluar ajo ka aplikuar për statusin e kandidatit, derisa të gjitha shtetet e tjera e kanë kaluar këtë stad dhe janë në proces të negociatave përveç Bosnjë-Hercegovinës. Pra, pavarësisht nivelit të zbatimit të MSA-së, procesi drejt BE-së është i lidhur me dialogun si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka theksuar ai.
Ajo se çfarë mund ta zhbllokonte mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare, Fetoshi thotë se është marrëveshja me Serbinë, e cila sipas tij mundëson avancimin në këtë proces dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Kurse analisti Pula thotë se procesi i integrimit Evropian për Kosovën duhet kuptuar si objektiv gjeostrategjik dhe angazhim të vazhdueshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.
Sipas tij, ky objektiv është si rezultat i përcaktimit politik për anëtarësim në NATO dhe EU.
“Ky objektiv është si rezultat i përcaktimit tonë politik për anëtarësim në NATO dhe UE, andaj dhe, ky proces jo vetëm se është i gjatë por edhe i mundimshëm, marrë për bazë domosdoshmërinë e një morri reformash që duhen bërë deri në një anëtarësim të plotë”, ka thënë ai.
Tutje analisti Pula, thekson se “Përpjekje e padiskutueshme e Kosovës, përkatësisht institucioneve të saj duhet të jenë përpjekjet për forcimin e demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës duke qenë kështu kontribuues në stabilitetin institucional, politik e ekonomik në vend”.
/Gazeta Enigma/