Gërvalla: Në pjesën e parë të vitit e emërojmë ambasadorin tonë në Izrael

Gërvalla: Në pjesën e parë të vitit e emërojmë ambasadorin tonë në Izrael


Kryediplomatja Donika Gërvalla, u shpreh e kënaqur që, siç tha, Kosova dhe Izraeli po thellojnë bashkëpunimin dhe miqësinë.

Gërvalla tha në një intrervistë për Israel Hayom se Kosova do ta emërojë ambasadorin e saj në Izrael në pjesën e parë të këtij viti.

“Ne jemi më shumë se të kënaqur. Izraeli dhe Kosova po thellojnë vërtet bashkëpunimin dhe miqësinë tonë. Ne jemi në shumë aspekte vende mjaft të ngjashme. Brenda dy viteve kemi pasur shumë shkëmbime të shkëlqyera, duke filluar nga ato zyrtare, vizita në biznese private, sigurisht që jemi në rrugën e duhur”, tha ajo.

E pyetur për emërimin e ambasadorit të Kosovës në Izrael, Gërvalla tha: “Kjo është një çështje që ne me siguri do ta trajtojmë në gjysmën e parë të këtij viti. Vendimi përfundimtar nuk varet aq shumë nga marrëdhënia jonë dypalëshe, por më tepër nga një ristrukturim i vazhdueshëm i shërbimit tonë diplomatik për ta bërë atë dukshëm më efektiv”.

Ajo u pyet edhe për detyrimin që Serbia e kishte marrë gjithashtu për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem si dhe nëse BE-ja i ka bërë presion Kosovës për të mos e hapur ambasadën atje.

“Sigurisht, Serbia premtoi se do ta zhvendoste ambasadën e saj. Por njerëzit këtu nuk u habitën që Vuçiq edhe një herë e theu një premtim. Kur mora detyrën në mars 2021, ambasada në Jerusalem ishte një nga detyrat e para që duhej të merrej. U thashë të gjithëve se vendosja e ambasadës në Jeruzalem ishte një punë e kryer, bazuar në nënshkrimin dhe premtimin e qeverisë së mëparshme”, tha Gërvalla.

E pyetur se kur do të ketë fluturime direkte mes dy vendeve (Kosovës dhe Izraelit, ajo tha se po punohet për këtë.

“Vendet tona janë në kontakt për të kuptuar fizibilitetin ekonomik se si ta arrijmë këtë. Meqenëse nuk kemi një transportues kombëtar, ne duhet të gjejmë partnerë për një zgjidhje të qëndrueshme. Ne po punojmë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për këtë lidhje fluturimi”, tha ajo.

Related Articles