Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jo rezident i Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatin të tij të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale.
“Me ambasadorin Junaid, Presidentja Osmani bisedoi edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe potencialin e rritjes së bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhej në njoftimin e presidencës.
Presidentja Osmani falënderoi Pakistanin për mbështetjen e Kosovës, në veçanti në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare me ç`rast ambasadori Junaid konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij në këtë drejtim.
Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Junaid për mbështetjen e parezervë që Pakistani i ka ofruar Kosovës përgjatë gjithë proceseve me rëndësi nëpër të cilat ka kaluar Kosova.