Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen e 25 marsit ndaj Zvicrës ta organizojë në territorin e Serbisë. UEFA është pajtuar me vendimin e bjellorusëve që ndeshja të luhet në Novi Sad.
Por sipas gazetës së madhe zvicerane, Blick, Zvicra në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Euro 2024 duhet të paraqitet pa Granit Xhakën e Xherdan Shaqiri.
Zëvendës-shefi i futbollit në Blick, Andreas Boni ka bërë një koment të mërkurën për vendimin e UEFA-s. Sipas Bonit, vendimi është skandaloz.
Ai ka këshilluar federatën helvetike që në Novi Sad të paraqitet pa Xhakën e Shaqirin, dy liderët e përfaqësueses së Zvicrës.
Xhaka e Shaqiri janë të urryer në Serbi pasi dy herë kanë dërguar përfaqësuesen e këtij vendi në shtëpi nga Kampionati Botëror.