Kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka thënë se ka sinkronizim të duhur brenda grupit të cilit ajo drejton.
Kusari Lila është kryetare e partisë Alternative, por që ka garuar brenda listës së VV-së në dy palë zgjedhjet e fundit. Ajo është kryetare e grupit të VV-së, ndërsa ka pasur kritika që brenda këtij grupi nuk lejohet mendimi ndryshe.
Kusari Lila thotë se ka mendime të ndryshme brenda VV-së, por që në fund fiton programi politik i dakorduar në fillim të zgjedhjeve.
“Shefi i grupit parlamentar në Britani quhet “kamxhik”, apo “whip”’, thotë ajo në T7.
“Unë tash nuk po them se e drejtoj grupin me kamxhik, por që ne kontrollojmë shumë komisione dhe kemi në dorë dikastere të ndryshme. Pra është e vështirë. A mendon se me të vërtetë kemi fuqi të kontrollojmë të gjitha. Nuk mund të ngulfatim fjalën e lirë, por që programi vjen i pari pasi ka subjekte të ndryshme brenda koalicionit”, shtoi ajo.