Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu zhvilloi sot një takim virtual me përfaqësuesit nga Byroja e Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), Jorgan Andrews- zëvendës ndihmës i Sekretarit të Shtetit, Nicholas Giacobbe – ushtrues i detyrës së shefit të misionit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë dhe Shawn Waddoups – drejtor i Programit INL për Kosovë.
Takimi kishte për qëllim shpalosjen e aktiviteteve të Ministrisë së Drejtësisë, dhe shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit dhe mbështetjes në sektorin e sundimit të ligjit.
Ministrja Haxhiu potencoi reformën në drejtësi, si domosdoshmëri të institucioneve, përshirë rishikimin funksional, vettingun, kompletimin e pakos ligjore antikorrupsion dhe zbatimin më të efektshëm të saj, konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe dhunën në familje.
Ndërsa, Jorgan Andrews tha se është e rëndësishme të adresohen çështje që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit dhe rëndësinë e forcimin e institucioneve, si veprim drejt fuqizimit të sundimit të ligjit.
Të dyja palët në takim shprehën vullnetin për bashkëpunim në adresim të sundimit të ligjit dhe luftim ndaj korrupsionit.