Eksperti financiar Vehbi Imeri, deklaroi se gjatë ekspertizës ka elaborouar burimet duke konstatuar se po të jepeshin lejet e ndërtimit në kohë reale, për periudhën 2010- 2013 Komuna e Prishtinës do të përfitonte, por sipas tij, nga ky mosveprim dëmi i shkaktuar komunës është 123 mijë e 713 euro e 30 centë.
Këtë deklarim, eksperti Vehbi Imeri e bëri të premten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohen Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skënder Canolli dhe Vehbi Abdullahu.
Eksperti Imeri, i pyetur nga gjykata se, nga cilat veprim apo mosveprimeve i është shkaktuar ky dëm Komunës së Prishtinës, ka thënë se, ka elaborouar burimet nga të cilat do të përfitonte Komuna e Prishtinës po të jepnin lejet e ndërtimit në kohë reale, për periudhën 2010- 2013 dhe dëmi i shkaktuar sipas tij, 123 mijë e 713 euro e 30 centë.
Sipas tij, ky dëm i përbashkët paraqet lartësinë e shumës për të cilën ndërtuesit nuk janë pajisur apo nuk kanë aplikuar të pajisen me leje ndërtimi dhe për pasoj ka ardhur deri te dëmi i cili është shkaktuar që iu referova ma herët.
Më pas, gjatë përgjigjes në pyetjet e avokatit Valdrin Behrami, mbrojtës i të akuzuarit Shala, se në çfarë forme ka rezultuar termi përfitim të cilin eksperti e ka potencua në ekspertizë, eksperti Imeri tha se gjatë përpilimit të ekspertizës iu është referuar shkresave të lëndës.
Sipas ekspertit, i akuzuari Shala e ka blerë këtë banesë por, blerja e banesës është në emër të nënës së tij pasi që mungojnë dëshmitë se e njëjta a është paguar apo në çfarë forme i është shitur nënës së të pandehurit dhe duke u bazuar në të ardhurat personale që realizohen për periudhën objekt ekspertize ka rezultuar se nuk ka pasur mundësi financiare të blihet kjo banese dhe te paguhet.
Tutje, Imeri shtoi se, nëse është lexuar ekspertiza, blerësja është Fexhrije Shala kurse mbi bazën e kontratës së lidhur ky është burimi kryesore që e konstaton se kjo banesë është blerë në emër të nënës së të pandehurit Shala.
Lidhur me këtë deklarim, avokati Valdrin Behrami kishte vërejtje. Sipas tij, eksperti përpos që nuk ua ofroj asnjë përgjigje, shtrembëroj faktet dhe provat të cilat kanë qenë objekt ekspertimi dhe trajtoj çështje të cilat nuk janë të prezantuara në ekspertizë, sipas tij është e domosdoshme hartimi i një ekspertize të re, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vërejtje kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, të njëjtit kërkuan të kryhet ekspertizë e re apo të plotësohet ekspertiza pasi sipas tyre, është vërtetuar se ekspertiza është e mangët.
Në anën tjetër prokuroria speciale Drita Hajdari tha se nuk ka nevojë për ekspertizë të re pasi konsideroi se eksperti ka sqaruar mjaftë ato çka ishte i caktuar nga ana e gjykatës.
Përmes aktvendimit kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qekini, refuzoi propozimet e mbrojtësve sa i përket hartimit të një ekspertize të re apo plotësimit të së njëjtës.
Gjykimi vazhdoi me administrimin e provave, ku gjykatësja Qerkini shtoi se kanë mbetur edhe disa dëshmitar pa u dëgjuar, të cilët janë dëgjuar në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore mirëpo tani janë të paarritshëm për gjykatën, me ç’rast pyeti palët nëse dëshmitë e tyre mund të konstatohen të lexuara.
Lidhur me këtë prokuroria Hajdari u pajtua, ndërsa avokatët mbrojtës të të akuzuarve e kundërshtuan.
Ndërsa, pas konsultimit trupi gjykues përmes aktvendimit, ku aprovoi propozimin e prokurores Hajdari për leximin e dëshmive të dëshmitareve që kanë mbetur pa u dëgjuar, pasi të njëjtit janë dëgjuar në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor dhe palët kanë pasur mundësi të ju parashtrojnë pyetje dhe të sfidojnë besueshmërinë e tyre.
Gjykatësja Qekini tha se mbrojtësit pas nxjerrjes së vendimit meritor të kësaj gjykate do të kenë mundësi të ankojnë edhe këtë vendim të kësaj gjykate.
Më pas, avokati Ali Beka, propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe Granit Cena, Blerim Bibishi dhe Ardian Muhabi, ndërsa shtoi se ka edhe prova të tjera të cilat do të ia prezantoj të hënën gjykatës.
Propozim për dëgjimin e dëshmitarëve u kundërshtua nga prokuroria Hajdari dhe më pas përmes aktvendimit u refuzua edhe nga gjykatësja çekini.
Në këto rrethana e sotme u ndërpre ndërsa vazhdimi do të bëhet më 6 prill 2023.
Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja e kishte ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi siç tha ajo.
Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.
Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Në pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal
Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.
Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, thuhet se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.
Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.
Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.
Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.
Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.
Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.
Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.
Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.
Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.
Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.
Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.
Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.
Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.
Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.
Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmëris në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.
10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.
Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.