Në Bruksel mbrëmë iu dha drita jeshile, zbatimit të marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe apo siç e quante dikur partia në pushtet “Zajedenicës”.
Por, këtë nuk po e beson ende përkrahësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri. Madje, ai po paralajmëron veprime tjera.
Bahtiri i tha Insajderit se kryeministrit i vendit, Albin Kurti ka qëndruar jashtëzakonisht mirë në takimin me palën serbe. Ai u shpreh se Kurti nuk do të lëshojë pe drejt lejimit të formimit të Asociacionit siç parasheh marrëveshja e vitit 2013 e ajo 2015-ës.
“Unë mendoj se në fillim ka qenë luftë mes dy palëve se ku do të vendoset kjo pjesa e Zajdenicës…para se të bëhet plani franko-gjerman të bëhet Asociacioni i Komunave z.Kurti ka qëndruar jashtëzakonisht mirë atje dhe jemi në pozicion të tillë që ajo çështje të trajtohet në pikën e 10 të marrëveshjes dhe të shikojmë se si do të kalon pjesë”, tha Bahtiri.
“Unë mendoj që z.Kurti nuk do të bëjë një lëshim të tillë, me aq sa e njoh unë z.Kurti nuk do të lëshojë për arsye se të gjithë e dimë që është një temë e vështirë, është një temë e cila me të vërtetë e ka një përgjegjësi të veçantë”, deklaroi ai.
Sipas tij, Kurti do të gjejë modalitete tjera mbi këtë marrëveshje të cilën e cilëson të vështirë për Kosovën.
Duke folur për presionin ndërkombëtarë, Bahtiri i përmendi Kurtit edhe presionin e popullit që e votuan me 51% të votave.
“Unë mendoj që z.Kurti e ka ditë që ka me pas presion të ndërkombëtarëve por duhet ta dijë që e ka edhe presionin e popullatës që i kanë dhënë 51%, dhe ne të gjithë e kemi përkrahë, personalisht unë e kam përkrahë idenë e tij që të zhbëjë marrëveshjen e cila fatkeqësisht ka ndodhur në 2013-ën e 2015-ën. Dhe, unë mendoj që z.Kurti do të gjejë modalitete që nuk do të pranohet ajo Zajednicë e cila është nënshkru e është miratu në Kuvend të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Duke qëndruar i bindur se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit, Bahtiri tha se vetëm pastaj mund ta pyesim se ku qëndron ai.
“Unë kam besim të plotë që z.Kurti nuk do të lëshojë pe, për atë e kam përkrahë atë dhe partinë e tij. Por përsëri po e them një gjë e tillë nuk do të ndodhë, por nëse ndodhë, mundeni me më pyet ku është Agim Bahtiri”, potencoi ai.
Ditë më parë, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbledhur përkrahësit e tij në një tubim në fshatin e tij të lindjes, Gushavc, nga ku i kanë dërguar porosi kryeministrit Albin Kurti që mos të pranojë kurrfarë Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Bahtiri, i cili ka qenë dhe kryetar i Vetëvendosjes në Mitrovicë, kërkoi nga kryeministri Kurti që të mos lëshojë “pe” për formimin e Asociacionit. Ai tha se çdo Asociacion i cili bëhet në Kosovë do të jetë tumor për vendin.