Kroacia i ka dhuruar 10 mijë doza të vaksinës COVID-19 shtetit të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka nënshkruar marrëveshje për 10 mijë doza të vaksinës anti-COVID me Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiç.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në Facebook.
“Gjatë këtij takimi, është nënshkruar marrëveshja për 10 mijë doza të Vaksinës kundër Covid-19, në përkrahje të Republikës së Kosovës. Në takim, ministri Vitia ka njoftuar ambasadoren Barishiç, me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas planit shtetëror të vaksinimit, duke shprehur mirënjohje shtetit të Kroacisë për bashkëpunim dhe mbështetje konkrete në luftën me pandeminë COVID-19”, thuhet në njoftim.
Barishiç ka theksuar rëndësinë e zbatimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
Kosova deri më tani ka pranuar 62 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX dhe 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka ndarë gjithsej 95 mijë doza të vaksinës Pfizer/Biontech për Kosovën.
Që nga arritja e 24 mijë dozave të para të vaksinës, Ministria e Shëndetësisë ka zbatuar planin kombëtar të vendosjes dhe vaksinimit ku punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit kanë përparësi si grupet e para që vaksinohen.