Haxhiu: Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë për lirinë e Kosovës

Haxhiu: Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë për lirinë e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, në Kompleksin Memorial në Prekaz, në shënim të 28 Nëntorit.

Në një prononcim për media, Haxhiu ka kujtuar se 28 Nëntori shënon jo vetëm Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997.

Ajo ka theksuar rëndësinë historike të Prekazit dhe qëndresën e familjes Jashari në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

“Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenare u ngrit nga Skënderbeu edhe në Krujë më 1443. Nën atë flamur dhe nën udhëheqjen e Ismail Qemalit më 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, dhe më 28 Nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht para popullit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Duke folur për kontributin e familjes Jashari, ajo ka thënë se qëndresa e tyre ndikoi në shtimin e radhëve të UÇK-së, ndërsa ka shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre.

“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës; as ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan, ata rezistuan”, ka thënë Haxhiu.

Në fund, kryetarja e Kuvendit u ka uruar 28 Nëntorin shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë, duke bërë thirrje për ruajtjen e flamurit kombëtar dhe vazhdimin e angazhimit për ditë më të mira.

Related Articles