32 persona raportohen të vdekur dhe 85 janë plagosur pasi dy trena u përplasën në luginën e Tembit pranë Larisës, Greqi.
Hetimet vijojnë për ngjarjen, ndërsa tashmë po jepen deklarime në Drejtorinë e Policisë së Larisës për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.
Raportohet se shumica e të vdekurve janë studentë ose të rinj që ktheheshin nga karnavalet.
Ndërkohë në Spitalin Universitar janë transferuar trupat e 9 personave dhe 48 të plagosurve, prej të cilëve dy janë të intubuar në terapi intensive dhe janë në gjendje kritike për jetën.
Pamjet nga spitalet e Larisës, ku u dërguan dhjetëra të plagosur pas aksidentit tragjik në luginën e Tembit janë të tmerrshme.
Nuk dihet ende nëse ka shqiptarë mes viktimave dhe të plagosurve nga përplasja tragjike e dy trenave në Greqi. Kështu u shpreh kreu i komunitetit shqiptar në Greqi, Luan Zyka, në një lidhje telefonike me “Dita Jonë”, sipas të cilit këtë njoftim e bën policia. Ai tha se nga informacionet paraprake mësohet se në tren ishin shumë studentë që ktheheshin në Selanik.
“Nuk dihet nëse ka shqiptarë apo jo mes viktimave. Jemi interesuar me spitalin e Larisës se atje kanë shkuar viktimat dhe të plagosurit janë 32 viktima 85 të plagosur, 58 persona janë ende në spital. Ajo që na thuhet është që shumica kanë qenë studentë që ktheheshin në Selanik. Akoma nuk dimë nëse ka shqiptarë, kam telefonuar në spitalin e Larisës se kjo del nga policia dhe spitali nuk na jep të dhëna”, u shpreh ai.
Zyka thekson se aksidenti ka ndodhur për gabim njerëzor për shkak të mungesës së sinjalistikës.
“Gabim njerëzor dhe mungesë e sinjalistikës me trenat. Greqia ka bërë një modernizim me linjat e trenave dhe firma italiane nuk e ribën, por një linjë kaq moderne të mos funksionojë sinjalistika. Dy vagonat e parë janë shkatërruar komplet se janë përplasur tren udhëtarësh me trena mallrash thuhet që vagoni i parë është ngritur në ajër”.