Pak njerëz, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta i besojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do ta zbatojë pjesën e marrëveshjes së fundit me Kosovën, në të cilën kërkohet nga Serbia që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Këtë deklaratë ai e bëri në televizionin publik serb RTS, një ditë pas takimit të së hënës në Bruksel, ku së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pranuan tekstin e propozimit të BE-së për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilën Neni 4. thotë se është obligim i Serbisë të mos pengojë Kosovën drejt anëtarësimit në OKB.
Edhe pse e ka theksuar vazhdimisht refuzimin e tij për të zbatuar këtë pikë, partitë e djathta në Serbi e konsiderojnë Vuçiqin tradhtar dhe një pjesë e opinionit nuk e beson kur ai e thotë këtë.
Bojan Pajtiq, profesor në Universitetin e Novi Sadit, për “Danas” thotë se Vuçiq as nuk është i nevojshëm që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së, por ai as nuk e ka ndërmend ta kundërshtojë.
“Përsëri, duke përdorur lojë fjalësh, ai po përpiqet të mashtrojë opinionin duke zëvendësuar tezat. Kjo nuk është asgjë e re, sepse atij njeriu sigurisht nuk mund t’i besohet kurrë dhe asgjë. Ai as nuk e di se ekziston e vërteta”, pohon ai.
Njësoj mendon edhe regjisori Janko Baljak, i cili thotë se vendimi për pranimin në OKB nuk ka të bëjë shumë me dëshirat e Serbisë, por mbi të gjitha me qëndrimet e fuqive të mëdha, transmeton Telegrafi.
“E sa i përket besimit te Vuçiqi, nuk njoh njeri që i beson atij njeriu pas gjithë këtyre viteve të gënjeshtrave, mashtrimit dhe manipulimit”, thotë Baljak.
Kur është në gjendje Vuçiq të thotë të vërtetën?
Me të pajtohet edhe sociologu Jovo Bakiq, të cilin gjithmonë e habisin njerëzit që e besojnë, sidomos pas përvojës prej një dekade me daljet e tij pothuajse të përditshme publike.
“Ai është në gjendje të thotë të vërtetën vetëm kur ajo i rrëshqet”, sqaron Bakiq.
Ndërsa psikologu Zharko Koraq po ashtu thotë se hyrja e Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia dhe as nga Aleksandar Vuçiq.
“Varet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së apo Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, edhe pse sot Kosova nuk ka vota të mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme për ta votuar. Në KS, Kina ndoshta do të vendoste veton ndaj saj për shkak të problemeve të saj të brendshme, kryesisht për çështjen e Tibetit”, shpjegon Koraq.
Sipas tij, politika është gjithmonë çështje realiteti.
“Sigurisht se është mirë që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova gjithsesi është e pavarur edhe pse mua nuk më besohet, atëherë më intereson pse zyrtarët serbë, përfshirë edhe patriarkun, po kërkojnë leje nga autoritetet e Prishtinës për të shkuar atje. Dhe shumica e kundërshtuesve të Kosovës po protestojnë për ambiciet e tyre politike, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën, dhe jo sepse besojnë se Serbia do ta rifitojë ndonjëherë kontrollin mbi Kosovën. Përveç nëse i bindin 1,800,000 shqiptarët që jetojnë atje të heqin dorë nga pavarësia”, thotë Koraq.
Ndërsa Savo Manojloviq, drejtori i fushatës “Kreni-promeni” (Fillo-ndrysho), përkujton se veprimet e deritanishme të Vuçiqit tregojnë qartë se ai po lëshon pe.
“Në vitin 2013 me Marrëveshjen e Brukselit integroi policinë dhe gjyqësorin në sistemin e Kosovës. Në vitin 2020, Marrëveshja e Uashingtonit e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, i cili deri atëherë nuk ishte njohur nga askush përveç Presidentit të atëhershëm amerikan Trump. Vërtetë funksionon për anale kur nesër do të shkruhet në histori se ai arriti të negociojë që ne ta njohim Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se në këmbim Izraeli e njohu Kosovën. Tani shohim lëshime të reja, por edhe frikën e tij ndaj nga populli”, vlerëson Manojloviq, transmeton Telegrafi.
Atij i duket se në mbrëmje ka frikë nga të huajt dhe në mëngjes kur zgjohet nga populli.
“Ai nuk ka plan dhe çdo zgjidhje dhe propozim qëllimmirë e percepton si sulm personal. Thjesht, ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve dhe narrativave, qoftë për Kosovën, litiumin apo Evropën, tregojnë për një personalitet të paqëndrueshëm që nuk i përshtatet momentit historik në të cilin ndodhemi”, thekson ai.
Nëse ka mundësi dhe liri Vuçiq që të mos e zbatojë këtë pjesë të marrëveshjes (Nenin 4.) flasin edhe ish-diplomati serb Sreçko Gjukiq dhe hulumtuesin Dragoslav Rasheta.
“Nuk ekziston mundësi duke pasur parasysh interesin më të madh të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe pse besoj se nuk ka afate të përcaktuara për nënshkrimin e vetë marrëveshjes, të dyja palët kanë rënë dakord për kornizën e marrëveshjes dhe tani është koha për zbatimin. Të mos harrojmë se kjo është një marrëveshje jo përfundimtare, prandaj nuk e përjashtoj mundësinë që në një të ardhme të afërt të mos ndodhë hyrja e Kosovës në OKB”, thotë Rasheta.
Gjukiq shton se marrëveshja nuk mund të zbatohet sipas dëshirës, kurse kjo është një marrëveshje ndërkombëtare garantues të së cilës janë SHBA, BE, ndoshta Britania e Madhe dhe ndoshta dikush tjetër.
“Parimi, unë dua këtë, nuk dua këtë, më pëlqen kjo, nuk më pëlqen kjo, nuk funksionon në asnjë marrëveshje, kontratë. Sidomos Serbia nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në OKB. Përveç kësaj, ajo mori përsipër që të mos e pengojë drejtpërdrejt atë anëtarësim, duke marrë parasysh të gjitha organizatat ndërkombëtare, ndër të cilat organizata botërore është më e rëndësishmja. Në mënyrë indirekte, përmes anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbia mund të ndikojë dhe pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, përmes Federatës Ruse dhe Kinës, bazuar në premtimet dhe perspektivat e mëparshme të cilat Beogradi i mori”, shpjegon Gjukiq.
Ai nuk mund të parashikojë se si do të sillen dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Rusia dhe Kina), nëse do të mbesin prapa qëndrimit të premtuar apo do ta ndryshojnë atë.
“Ata mund të votojnë në mënyrë autonome kundër Kosovës, pa lutjen e Beogradit, haptazi apo fshehurazi, por mund edhe të përdorin Kosovën dhe Serbinë për të kënaqur disa interesa më të gjera. Të gjitha variantet janë të njohura, dhe ekspozimi i Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjen, mund të hasë në reagimin e sponsorëve”, përfundon Gjukiq.