Vdes kryesuesi i Bordit të AKP-së, ngushëllon Kurti

Vdes kryesuesi i Bordit të AKP-së, ngushëllon Kurti

Ka vdekur në moshën 79-vjeçare Nazmi Mikullovci, drejtor dhe kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Për vdekjen e tij ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se emri i tij mbetet i lidhur përjetësisht me Kosovën, ekonominë dhe industrinë e saj, raporton Express.

“Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi”.

Për Mikullovcin, i cili ka qenë anëtar i Vetëvendosjes, Kurti tha se për të ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë.

“Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj. Ngushëllime të sinqerta Familjes Mikullovci, miqve e bashkëpunëtorëve”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, familja e Mikullovcit ka njoftuar se varrimi do të bëhet sot në orën 12:00, në varrezat e Prishtinës në Dragodan.

“Të nderuar familjarë dhe miq. Ju njoftojmë që sot, më datë 3 mars 2023, e premte, ndërroi jetë më i dashuri ynë, bashkëshorti, baba, vëllai, gjyshi, Nazmi Ramadan Mikullovci”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Mikullovci nga viti 1965 gjer më 1990 ka punuar në ndërmarrjen “Trepça”, nga ku është larguar gjatë kohës së masave të dhunshme. Ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2008 ka qenë në pozitën e drejtuesit.

Related Articles