U mbyll pas rreth 60 minutash protesta e opozitës në Tiranë. Fjalimi më i pritur gjatë protestës së opozitës ishte ai i liderit demokrat Sali Berisha, që zgjati rreth 22 minuta.
Ish-kryeministri e cilësoi protestën e sotme si ajo e “revolucionit tonë demokratik dhe paqësor, një protestë me të cilën ne jemi të vendosur t’i shkurtojmë orët dhe ditët, muajt, kësaj qeverie antishqiptare me në krye Edi Ramën, i cili faktohet para Shqipërise dhe botës, si pushtuesi më i egër i këtij vendi”.
Sipas tij, “Edi Rama është armik i qenies suaj, është plaçkitësi më i madh në historinë e vendit, armik i miqve tanë në SHBA dhe Evropë. Në rast se ju kujtohet, ai flakte si leckë flamurin amerikan, pak vite më parë rekrutonte sikur të ishte siamez me Lukashenkon, kryezbuluesin e SHBA, një vit më parë zhduku flamurin e NATO, aleancën kryesore të paqes në botë”.
Për Berishën, Rama kërkon të boshatisë vendimin nga shqiptarët.
“Shqipëria e etërve të tij barbarë është modeli i tij, shqiptarët në 8 vite u pakësuan me 1 milion banorë, me këto ritme Rama synon që pas 16 vitesh këtu të ketë pallate bosh, kampe refugjatësh, çerdhe trafikantësh, por jo shqiptarë të vërtetë”, ishin fjalët e tij përballë protestuesve.
Lideri demokrat shtoi se ata ndodhen aty “për t’i thënë Ramës se të paktë ishin ata që besonin në misionin e studentëve, por marshi i tyre ishte marshi i lirisë që përmbysi diktaturën. Marshi juaj do të përmbysë monizmin e bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen, do ta shndërrojë Shqipërinë në vend të bekuar për shqiptarët”.
Mbizotëroi fjala bashkim në fjalimin e Berishës në protestën e kombëtare të opozitës. Kreu demokrat u bëri thirirje për bashkim të gjithë qytetarëve dhe punonjësve të administratës për të shpëtuar Shqipërinë.
“Një thirrje vëllazërore do u drejtoj sot të gjithë atyre që i shohin forcat politike me mosbesim, që janë të dëshpëruar, që janë të zhgënjyer dhe vazhdojnë rrugën në vetminë e tyre. Unë u them se keni shumë arsye për të qenë të dëshpëruar dhe zhgënjyer, por kurrë nuk mund të keni arsye për të qenë indiferentë. Nuk ka gjë më vrastare për të ardhmen se indiferenca!” shtoi Berisha.
“E keqja nuk kërkon gjë tjetër për të triumfuar veç indiferencës së njerëzve të mirë si ju. Një thirrje u bëj të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, mos harroni se në ligj dhe moral, ju nuk jeni badigardë as shërbëtorë të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama, por jeni shërbëtorë të qytetarëve. Sot ju përjetoni një terror digjital dhe të gjithanshëm. Bashkohuni me ne në këtë revolucion të përmbysim këtë organizatë kriminale. Të shpëtojmë Shqipërinë prej saj”, tha kryedemorakti.
Berisha theksoi se kushdo që do të luajë me pluralizmin dhe demokracinë do të fshihet nga faqja e dheut. Ai tha se është koha e misionarëve që qëndrojnë në këmbë.
“Do të fshihet nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin në Shqipëri dhe lirinë e shqipatrëve. Koha është e misionarëve e djemve dhe vajzave, të rinjve e të rejave, burrave e grave që qëndrojnë në këmbë. Historinë e keni patur të keqe me pushtime, dhimbje, vuajtje, por nuk jemi nënshtruar kurrë. Të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi. Historia na mëson sesa herë shqiptarët janë bashkuar kanë bërë mrekullitë e tyre dhe ta shndërrojmë vitin 2023 në vitin e mrekullisë së shqiptarëve”, tha ai.
Sipas tij revolucioni nuk është i Sali Berishës, por ka qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë
“Revolucioni nuk është i Sali Berishës, është i çdo shqiptari që e do Shqipërinë. Revolucioni ynë ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë. Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të këqijave që ka sjellë Edi Rama. Varfëria luftohet duke dyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat, duke përgjysmuar çmimin e energjisë. Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë për ju, shkolla, spitale, duke krijuar pra kushtet që ju meritoni. Varfëria luftohet duke luftuar krimin e organizuar, korrupsionin me zero tolerancë. Ne do dalim fitimtarë nga kjo betejë”.