Bërnabiq: Ndërkombëtarët më të zëshëm se kurrë për formimin e Asociacionit

Bërnabiq: Ndërkombëtarët më të zëshëm se kurrë për formimin e Asociacionit
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka vlerësuar se sulmet ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë të 27 shkurtit në Bruksel, e vështirësuan pozitën e Serbisë në negociata.

Bërnabiq tha për televizionin Pink se ato sulme u rritën rreth takimit në Bruksel dhe se “koalicioni antishtetëror bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për ta vështirësuar pozitën e Serbisë”.

“Fakti që duan ta dobësojnë Vuçiqin për çështjen e Kosovës dhe Metohisë duhet kuptuar si dobësim i pozitës së Serbisë”, tha ajo, shkruan N1.

Kryeministrja serbe deklaroi se Vuçiq nuk ka nënshkruar asgjë në Bruksel (marrëveshje për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), por se ka përsëritur vijat e kuqe të palës serbe, pra kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe mosnjohjen e pavarësisë.

Ajo tha se bashkësia ndërkombëtare, e cila po merr pjesë në negociata, në këto momente është edhe më e zëshme për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Related Articles