Abdixhiku: Marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, e rrezikshme dhe lëshim i madh

Abdixhiku: Marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, e rrezikshme dhe lëshim i madh

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar marrëveshjen e pranuar nga kryeministri Kurti, në Bruksel në bazë të Planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Abdixhiku, duke shprehur edhe njëherë qëndrimin e tij dhe të LDK-së lidhur me marrëveshjen e 27 shkurtit, e ka cilësuar si lëshimin më të madh dhe gabim historik në procesin e dialogut.

“’Pa paragjykim ndaj statusit’ – kështu nisë marrëveshja e Kurtit me Vuçiç. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik. Ne pritëm një marrëveshje për njohje, ky na solli një që i vë dykuptimësi statusit politik të vendit tonë”, ka thënë  Abdixhiku, në Gjilan, në kuadër të ciklit debutues e diskutues “LDK ju dëgjon”, si dhe me rastin e 33 vjetorit të themelimit të LDK-së.

Ai po ashtu tha se “kryeministri nuk ka folur asnjëherë për kapërcimin e trashëgimisë mbi të kaluarën. Ka folur gjithnjë për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën, por tashmë në këtë dokument ai pajtohet të tejkalojë trashëgiminë e së kaluarës”.

“Dhe jo vetëm kaq. Me lehtësi të jashtëzakonshme ai u pajtua të tejkalojë trashëgiminë e së shkuarës me Serbinë. Nuk tejkalohet asnjë trashëgimi pa ballafaqim. Nuk kapërcehet trashëgimia e Serbisë në raport me Kosovën me dy rreshta në një marrëveshje”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Abdixhiku.

Ai e ka vlerësuar marrëveshjen të rrezikshme për vendin tonë.

“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.

Ndryshe, zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. /

Related Articles