Profesori Tahir Arifi është zgjedhur në mesin e mësimdhënësve më të mirë në Kosovë

Profesori Tahir Arifi është zgjedhur në mesin e mësimdhënësve më të mirë në Kosovë

Tahir Arifi, mësimdhënës i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është zgjedhur në mesin e mësimdhënësve më të mirë në Kosovë. Një mirënjohje e tillë profesorit Arifi i është dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë që e ka organizuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Është kjo një mirënjohje për punën e palodhshme për më shumë se dy dekada të profesorit Tahir Arifi në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja.

Në fakt, për këtë çmim, profesorin Tahir Arifi e ka nominuar Drejtoria Komunale për Arsim në Gjilan dhe ai ka qenë i nominuar për çmimin “Shaban Jashari” edhe atë me rastin e Ditës së Shkollës Shqipe.

Të rikujtojmë se profesori Tahir Arifi, magjistër i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në arsim punon që nga viti 1997 në shkolla të ndryshme të Gjilanit dhe tashti së fundi aktualisht punon në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, duke dëshmuar përkushtim e besim në punën me nxënës, kolegë e struktura drejtuese. Kjo mirënjohje për punën e këtij mësimdhënësi ka shkuar në duart e një mësimdhënësi që e ka merituar, ngase profesori e letrari, Tahir Arifi, e ka merituar plotësisht këtë çmim.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar manifestimin e shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, me ç’rast çmimin tradicional për mësuesin e dalluar e ka marrë mësuesja Shkëndije Jashari nga ShFMU “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ndërsa mirënjohje kanë marrë edhe mësues të tjerë nga të gjitha komunat e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, të cilët kanë ndarë çmimin “Shaban Jashari” kanë folur për kontributin e mësuesve shqiptarë nga Pandeli Sotiri e deri te mësuesit e ditëve të sotme, për të cilët thanë se është e pamundur t’i falënderojmë aq sa meritojnë.

Kryeministri Kurti, ndër të tjera tha se, shqiptarët sot kudo që ndodhen i nderojnë gjeneratat e mësuesve që kanë dhënë gjakun e tyre për të mbajtur ndezur dritat e arsimit shqip, ndërsa vlerësoi lartë kontributin e mësuesit dhe heroit kombëtar Shaban Jashari, emrin e të cilit e mbanë çmimi tradicional me të cilin nderohet puna dhe përkushtimi i mësimdhënësit të dalluar për përformancë pozitive dhe rezultate të mira.

Në emër të ministres Nagavci, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna uroi mësimdhënësit me rastin e 7 marsit teksa theksoi se, çmimi tradicional për mësimdhënësin e dalluar është i mbështjellë me petkun e një mësimdhënësi dhe njeriu të dalluar, siç ishte Shaban Jashari.

Mësimdhënësja, e cila pranoi çmimin, Shkëndije Jashari tha se, çmimi i fituar për atë është detyrë, privilegj dhe përgjegjësi në edukimin e brezave të rinj të cilët janë e ardhmja e vendit.

Related Articles