Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës

Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës

Lista Serbe ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen në muajin prill, për shkak se, siç kanë deklaruar, nuk janë plotësuar kërkesat që kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës.

Lista serbe ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partive të tyre politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për regjistrim partiak për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Ata thonë se përpos që nuk do të marrin pjesë në ato zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk janë plotësuar kërkesat që i kanë shkaktuar largimin e tyre nga institucionet e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në asnjë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime.

“Kjo e bën më se të qartë se Kosova dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, kundër vullnetit të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Related Articles