Cristiano Ronaldo vazhdon të nxitë spekulime lidhur me të ardhmen e tij dhe mundësinë e largimit nga Juventusi.
Superylli portugez deklaroi të hënën se tashmë kishte arritur objektivat e tij në Itali – duke fituar kampionatin (Serie A), Kupën e Italisë, Superkupën e Italisë dhe të shpallej futbollisti më i mirë dhe golashënuesi më i mirë i sezonit.
Deklarata e tij u kuptua sikur tashmë i ka arritur objektivat me Zonjën e Vjetër dhe planifikon të largohet.
Mungesa e tij në ndeshjen e fundit sezonale, megjithëse u arsyetua për shkak të lodhjes, shumëkush e komentoi se ishte një shenjë se koha e tij te Bianconerët ka mbaruar.
Ndërsa pasditen e të martës ka shpërndarë në InstaStory fotografinë duke marrë çmimin e lojtarit më të vlefshëm të vitit (MVP).
“Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar CR7, koment që nga media të ndryshme sportive është konsideruar si një ‘lamtumirë’.