Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ritheksuar se partia që ai drejton mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialog, raporton Gazeta Enigma.
Pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai ka thënë se LDK-ja jep i jep përkrahje këtij procesi, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve.
“Sot, pritëm ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak. Me të biseduam për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.
LDK-ja ka përsëritur se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës. Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.