Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka mirëpritur në takim, të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
Lajçak u takua edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, shefen e UNMIK në Kosovë, Caroline Ziadeh dhe atë të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigermark.
Sipas njoftimit, temë e diskutimit ishte situata aktuale në mënyrë që të sinkronizojë çdo përpjekje për të mbështetur dialogun brenda kornizës së mandateve përkatëse
Tutje, KFOR-i bëri të ditur se vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent për të vazhduar zbatimin e mandatit të #OKB-së, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin”.
Lajçak gjatë ditës është takuar edhe me të gjithë liderët opozitarë.