Në vitin 2021 nuk do të ketë probleme të furnizimit me ujë, vetëm nëse uji nuk keqpërdoret, këtë e kanë thënë për Gazetën Enigma, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku-Azizi dhe Drejtori gjeneral në KRU”HIDROMORAVA” Gjilan, Muhamed Suliqi.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës është me ujë, por vetëm 0,003 për qind e sasisë së përgjithshme të ujit është në dispozicion për njerëzit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Vërshimet e fundit që ndodhën në Kosovë, bënë që të ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm, sepse kjo ka shkaktuar rritje të turbullirës, gjë që e bën të pamundur trajtimin e ujit të pijshëm konform standardeve.
Në lidhje me këtë, për Gazetën “Enigma”, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku-Azizi, ka thënë se furnizimi me ujë të pijshëm është stabil në tërë zonën e shërbimit.
“Furnizimi me ujë të pijshëm është stabil në tërë zonën e shërbimit. Pra, nuk kemi ndonjë mungesë të furnizimit me ujë. Niveli i ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badoci: Niveli i ujit në Batllavë është në kuotën maksimale të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është (-2.5 metra nën nivelin maksimal të kapërderdhjes)”, ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.
Tutje, Arieta Mjeku-Azizi, ka shtuar se në vitin 2021 nuk do të ketë probleme të furnizimit me ujë, vetëm nëse uji nuk keqpërdoret.
“Sivjet, pra në vitin 2021 nuk do të kemi probleme të furnizimit me ujë në zonën e shërbimit, vetëm nëse uji nuk keqpërdoret. Nëse vazhdon keqpërdorimi i ujit në forma të ndryshme, atëherë mund të shfaqen problem në furnizim gjatë verës në pikat e larta” , ka thënë ajo.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina” Arieta Mjeku-Azizi, ka theksuar se apelojmë për shpenzim racional të ujit të pijshëm.
Ndërsa, Drejtori gjeneral në “Hidromorava”, Muhamed Suliqi thotë për Gazeten Enigma se për vitin 2021 do të ketë ujë të mjaftueshëm pasi që ka pasur të reshura të shiut niveli i ujit te Penda e Përlepnicës është në kuotën maksimale.
“Për vitin 2021 do të kemi ujë të mjaftueshëm për furnizim me ujë konumatorët, pasi që ka pas të reshura të shiut niveli i ujit te Penda e Përlepnicës është në kuotën maksimale 30.30m, si dhe të gjitha burimet e ujit në zonën urbane dhe zonat rurale kanë ujë të mjaftueshëm”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.
Edhe Muhamed Suliqi nga KRU”HIDROMORAVA” e Gjilanit ka bërë apel që konsumatorët të kursejnë ujin dhe mos të ketë keqpërdorime.
“Por bëj apel te konsumatorët, duhet ta kursejn ujin mos të keqpërdoret, të përdoret vetëm për nevoja sanitare, se të gjitha burimet mvaren nga të reshurat atmosferike, po ashtu i bëj apel konsumatorëve ta paguajn ujin”, tha ai.
Edhe pse uji është në parim një burim i ripërtrishëm prapëseprapë ky lëng i çmuar në shumë vende është në sasi të pamjaftueshme dhe me cilësi jo aq të mirë. Shkaqet kryesore janë rritja e kërkesës dhe njëkohësisht pakësimi i rezervave ekzistuese. Ndërsa, shtimi i popullisë dhe rritja e standardeve të përgjithshme jetësore rrisin edhe kërkesat globale./Gazeta Enigma/