Një jetë kushtuar qenve në nevojë

<strong>Një jetë kushtuar qenve në nevojë</strong>


Valbona Ferati, e njohur si “Bona” tash e 9 vite tërë energjinë e saj e fokusin e ka drejtuar kah përkujdesja e kafshëve në qytetin e Gjilanit, e veçanërisht për qenët endacak që kanë nevojë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ferati e cila është aktiviste në Fonacionin për Mbrojtje dhe Ndihmë të Kafshëve rrëfen për Gazetën “Enigma”, se ndonëse aktualisht është e pa punë, ajo tërë buxhetin e saj e shpenzon për të blerë ushqim e për t’i mjekuar qenët në nevojë.

Por përkundër vullnetit të jashtëzakonshëm, Bona shpesh stepet nga njerëz që e demotivojnë atë, sepse e paragjykojnë për lidhjen e veçantë që ka me qentë në nevojë.

“Ne kemi vullnet, kemi shumë dëshirë, por neve nuk na lënë kjo që po na shajnë e ofendojnë. Unë e kam përjetu shumë keq, sepse jam qenë e paragjykuar. Dhe më kanë bë shumë probleme, por nuk prapë nuk jam ndal, prapë ju ndihmoj, por gjithmonë e kam frikën që ka me dal dikush dhe me më fy. Por unë jam zëri i qenve, flas në emër të tyre, nëse i ofendojnë, abuzojnë me ta, unë e harroj veten, flas për ta”, thotë ajo.

Numri i qenve endacak sipas saj mund të rritet sepse “ka fillu regjistrimi qenve, dhe kemi me pas ma shumë qenë endacak. Kjo sepse, pronarët e pandërgjegjshëm përtojnë me shku me regjistrua dhe thonë hajt sa më dënojnë mu me gjobë, më të gatshëm janë me lëshu një qen, sesa me regjistru, por nuk e kuptojnë një gjë se regjistrimi është falas, dhe është për të mirën e qenit”.


Ajo tregon se aktualisht është e pa punë, por edhe kur punonte të gjithë rrogën e saj e shpenzonte në blerjen e ushqimit të qenve, apo në mjekimin e tyre.

Por sipas saj, ka edhe njerëz zemërgjerë që e ndihmojnë Bonën në përkujdesjen e qenve. “Qe 9 vite mundohem me aq sa mundem me ndihmu, për me i ushqy qenët, shumicën e rasteve me rrogë temë ju blej ushqim dhe ndonjë mjekim kur ka, jo gjithherë, por sivjet kemi pas shumë për mjekim, dhe është një tjetër vajzë, aktiviste nga Gjilani që jeton në Zvicër, ajo ka ndihmu shumë, veçanërisht këtë dimër, sepse momentalisht jam e papunë, mundem me thënë që më ka ndihmu me i mjeku 20 qen, që kanë pas parvo, sëmundje e qenëve që është vdekjeprurëse, ata zakonisht i kap klysht. Kjo vjen nga papastërtia, dhe nëse një klysh i vogël ka mujt me pas parvon, ai ka mujt me e bart tek këlyshët e tjerë, është ngjitëse”, thotë Ferati.

Ajo thekson se donatorja quhet Migena Kqiku, dhe ajo planifikon të hap edhe një strehimore për qenët endacak në Gjilan. “Migena Kqiku është nga Gjilani, jeton në Zvicër dhe ka shumë dëshirë ajo të ndihmojë dhe të hap një strehimore, e ka edhe tokën që planifikon me e dhënë për me ja siguru një vend disa qenve, jo të gjithëve sepse s’ka mundësi të gjithëve”, thekson ajo.

Ajo thotë se edhe drejtoresha e fondacionit ku ajo është vullnetare, Elza Ramadani e ndihmon atë shumë kur ka parregullësi në implementimin e projekteve, veçmas në çështjet ligjore. 

Bona tutje thekson se ka dhe veterinar që e ndihmojnë atë për ti shëruar ose ndihmuar qent endacak. “Naim Zeqiri na ndihmon shumë për qenët e rrugës, bile ka ndodh shumë shpesh që për momentin nuk kemi mjete me bo pagesën, na prit, na bënë zbritje dhe kudo që e kemi një rast e thirrim vjen, na ndihmon”, potencoi ajo.

Tutje ajo thotë se “Fauna gjatë projekteve, më ndihmojnë por vetëm për arsye se i monitoroj, e kam punë atë pjesë për t’i monitoruar prej organizatës “Fondacioni për mbrojte të kafshëve”, edhe në ato projekte mund të ndihmojnë, por pothuajse hiq. I kam lut kur ke projekti, vitin e kaluar, i kam lutur në disa pika ku e di unë që ka qenushe, i kam lut me ardhë mi marr mi sterilizu, kanë thënë vijmë, por unë nuk kam mujt me i kap qenët me i qu se ata janë pagu për atë, ata është dashtë të jenë falënderuese që i kam tregu vendin e qenve, por nuk kanë ardhë”.

Me zhgënjim të madh ajo flet për sjelljet që njerëzit, rrethi ka ndaj kafshëve.

“Ne nuk jemi asi populli që nuk na pengon me pa shumë qenë, po i sheh shumë qen mbaj vetëm gjatë dimrit, por na nuk jemi asi populli, por në rregull edhe nëse nuk don me i ndihmu, por pse jemi ne asi populli paragjykues, pse jemi na me pengu dikë që ka vullnet, ka dëshirë me ndihmu”.

Në fund ajo ka një mesazh për gjithë njerëzit, madje edhe atyre që e ofendojnë atë dhe aktivistët e tjerë.

“Unë një mesazh e kam për gjithë njerëzit, e sidomos grave e di shumë sigurt së ka shumë gra që kanë dëshirë me i ndihmu kafshët, edhe ju them ju lutem mos u ndalni se çfarëdo pune që ti ke me e bo, çfarëdo roli që e ki në shoqëri, ti je e paragjykume, por mos u ndal. Kafshët e rrugës kanë nevojë për neve, nëse nuk ke mundësi me i ndihmu, ju lutem mos i paragjykoni, mos i pengoni ata që i ndihmojnë. Kjo tokë dhe bota në përgjithësi nuk është vetëm e njerëzimit, por e gjitha gjallesave që Zoti u ka thënë jetë”, përfundon ajo. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles