FC Prishtina vendosi ta shkarkojë sot Ismet Munishin pas rezultateve të zbehta të këtij sezoni.
Bardhekaltrit e shohin veten në vendin e katërt me gjasa gjithnjë e më të zbehta për pjesëmarrje në garat evropiane, që janë synim i përvjetshëm i kryeqytetasve.
E në ndërkohë, derisa e falënderuan Munishin për bashkëpunimin, drejtuesit e klubit, në mbledhjen e Bordit, të mbajtur sot, një ditë pas humbjes shokuese nga Malisheva në shtëpi, njoftuan edhe për trajnerin e ri.
“Skuadrën aktualisht do ta drejtojë trajneri Debatik Curri dhe ndihmësit e tjerë deri në një vendim të ri”, njofton klubi prishtinas përmes një komunikate për shtyp.
Curri ishte ndihmës i Munishit në periudhën sa ky i fundit e drejtoi ekipin Bardhekaltër, por edhe ndihmës i Armend Dallkut tek prishtinasit e, edhe i Mirel Josës paraprakisht.
Pra, klubi më i madh në Kosovë vendosi t’ia japë rastin edhe ish-futbollistit të njohur kosovar, i cili e mbylli karrierën pikërisht tek FC Prishtina.
Nëse i ecin punët mbarë, Curri mund të mbetet trajneri kryesor i prishtinasve në pjesën e mbetur të sezonit.
Aktualisht, Prishtina është e katërta në tabelë me 7 pikë më pak se Gjilani, i cili e mban vendin e tretë, që çon në Evropë.