Deputetja e VV-së reagon pas shkarkimit të vëllait nga Ministria e Haxhiut: Kërkoj drejtësi

Deputetja e VV-së reagon pas shkarkimit të vëllait nga Ministria e Haxhiut: Kërkoj drejtësi

Deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit të vëllait të saj nga Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, raporton Gazeta Enigma.

Ajo ka thënë se vëllai i saj, Ilir Mulhaxha që është shkarkuar nga funksioni i Përmbaruesit Privat, nuk është pjesë e asnjë kompanie, duke thënë se ai është profesional dhe nuk ka asnjë vërejtje.

Mulhaxha – Kollçaku u shpreh se kërkon drejtësi nga organet kompetente lidhur me rastin e vëllait të saj.

Kujtojmë se Ilir Mulhaxha ishte suspenduar dy herë nga Ministria e Drejtësisë deri në shkarkimin e tij si përmbarues privat.

Shkrimi i saj i plotë:

E apostrofuar në postime të portaleve, e shtyer nga ngarendja e postimeve publike “zyrtare”, dhe nga fakti që heshtja nuk do të thotë pranim, por ndjekje e procedurave ligjore, me këtë rast po them:

– Ti Ilir, nuk je pjesë e asnjë kompanie. Je dikush që me profesionalizmin më të lartë, pa asnjë vërejtje, 8 vite ushtron një profesion të pavarur dhe me përgjegjësi të lartë.

Ti nuk je nënshkrues i kontratave. Nuk je TI pjesë e arbitrazheve ndërkombëtare.

Nuk ke marrë vendime TI, por Gjykatat meritore.

Nuk ke bërë TI vlerësime financiare, por eksperti i certifikuar financiar.

TI ke vepruar vetëm bazuar në vendime gjyqësore, bazuar në ligjin. Ashtu siç e ke obligim TI, bazuar në profesionin që ushtron, bazuar në kompetencat që t’i ka dhënë ligji.

Po, edhe për TY, si për të gjithë të tjerët deri tani, kërkoj #drejtësi.

JO padrejtësi të Facebook-ave.

Këtë e pres nga organet kompetente të thirrura për sjellje të drejtësisë së paanshme, për TY, si dikush që përveç ligjit, nuk ka mbështetje nga asnjë grup, politik apo i interesit.

P.s

Si deputete kam vetëm një mundësi. Kërkesen për inicim të Komisionit Hetimor Parlamentar.

Related Articles