Escobar paralajmëron edhe një herë: Asociacioni do të ndodhë

Escobar paralajmëron edhe një herë: Asociacioni do të ndodhë

I Dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se sa më shpejt që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të jetë më mirë. Ai ka thënë se kjo shikohet si obligim ndërkombëtar për Kosovën dhe se, pavarësisht se kush është në pushtet, duhet të zbatohet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet më 18 mars në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku pritet të flitet për zbatimin e planit evropian. Escobar ka udhëtuar sot në Kosovë prej Serbisë, ku qëndroi dy ditë e u takua me përfaqësues të lartë.

Në një intervistë për median serbe, Telegraf.rs, ai ka thënë se Asociacioni do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai po ashtu ka thënë se ky Asociacion do i shërbejë zhvillimit ekonomik.

“Unë do t’ju jap një shembull. Por më lejoni të filloj këtu: këtu nuk bëhet fjalë për Kurtin. Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Dhe Qeveria e Kosovës është e obliguar ligjërisht ta zbatojë atë. Është një detyrim ligjor ndërkombëtar ekzistues. Kështu e shohim ne. Është në marrëveshjen e Brukselit, është në këtë marrëveshje, është në konkluzionet e Këshillit të Evropës, dhe pjesë e politikës sonë. Do të bëhet realitet. Kjo do të ndodhë. Pyetja e vetme është se cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë atë. Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë. Dhe në realitet, kjo ka të bëjë me njohjen e të drejtës së njerëzve që janë pjesë e pakicës serbe në Kosovë për të qenë qytetarë të Serbisë dhe Kosovës”

“Ata kanë të drejtë të marrin pjesë, si çdo qytetar i dyfishtë, në jetën kulturore, ekonomike, politike, në çdo lloj jete në Serbi, e megjithatë kanë të drejtën e plotë të gëzojnë mbrojtjen e plotë të institucioneve në Kosovë. Pra, veçanërisht në veri, ajo që ky komunitet mund të bëjë nuk është vetëm të hapë rrugën për një angazhim më të madh qytetar nga serbët në Kosovë, por edhe të jetë një urë lidhëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe potencialisht ndërmjet tre, ose katër, ose pesë, apo edhe gjashtë vende në bashkimin ekonomik, pavarësisht nëse është Ballkani i Hapur, Procesi i Ri i Berlinit apo tregu i përbashkët. Ato janë të vendosura në mënyrë strategjike. Pra, kjo mund të jetë një fitore e favorshme për të dyja palët, duke hapur dyert ekonomike për të dy vendet”, tha ai.

Ai tutje shtoi se Kosova është e detyruar të zbatojë Asociacionin.

“Shikoni, nuk dua të komentoj për politikën e brendshme. Por ky është fakt: Kosova është e detyruar të zbatojë Asociacionin. Dhe pyetja është vetëm se si dhe kush dhe çfarë. Nuk dua të duket si sfidë për kryeministrin Kurti. Fakti është se të gjithë presin, inkurajojnë dhe duan të punojnë së bashku me Kosovën në zbatimin e Asociacionit. Ky është vetëm një fakt”, përfundoi ai.

Related Articles