Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka shpalosur detaje të reja lidhur me vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve që ndodhi dje në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur dje rreth orës 13:21 në rrugën “Ahmet Krasniqi”. Sipas policisë dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet se kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës mashkull kosovar i cili është qëlluar dhe ka ndërruar jetë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe mjeku i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Po ashtu edhe dy të dyshuarit janë të lënduar dhe janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka njoftuar policia në raportin 24 orësh.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin, është sekuestruar një armë zjarri dhe një thikë.
“Gjatë veprimeve hetimore është intervistuar edhe një i dyshuar i cili më pas është liruar, është sekuestruar edhe: një revole me një karikator dhe 11 fishekë, një gëzhojë dhe një thikë. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, njofton policia. /